22 Korrik, 2025 - 2:43 pm
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të tërhiqen sërish nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), vetëm dy vite pasi kishin rikthyer anëtarësimin në këtë agjenci me seli në Paris.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se vendimi është marrë për shkak të “axhendës përçarëse që UNESCO po ndjek në çështje sociale dhe kulturore”, si dhe për atë që SHBA e konsideron qasjen e njëanshme ndaj Izraelit. Ajo shtoi se pranimi i “Shtetit të Palestinës” si anëtar me të drejta të plota është në kundërshtim me politikën e jashtme amerikane dhe ka nxitur, sipas saj, retorikë anti-izraelite në organizatë, raporton apnews, transmeton KultPlus.
Kjo është hera e tretë që SHBA largohet nga UNESCO, dhe hera e dytë që kjo ndodh gjatë një administrate të udhëhequr nga Donald Trump. Vendimi do të hyjë në fuqi në dhjetor të vitit 2026, dhe ishte i pritshëm për drejtuesit e UNESCO-s, pasi administrata Trump kishte paralajmëruar një rishikim të marrëdhënieve me këtë agjenci që në fillim të këtij viti.
SHBA kishte ndalur financimin e saj për UNESCO-n që prej vitit 2011, kur kjo e fundit votoi për pranimin e Palestinës si shtet anëtar. Vendimi i fundit pritet të ketë ndikim financiar në organizatë, megjithëse më i kufizuar sesa më parë, pasi kontribuimi amerikan aktualisht përbën vetëm 8% të buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s.
Kujtojmë se SHBA u tërhoq për herë të parë nga UNESCO në vitin 1984, gjatë administratës Reagan, për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe ndikimin sovjetik në agjenci. U rikthye në vitin 2003 nën presidencën e George W. Bush dhe më pas u largua sërish në 2017 nën Trump, për t’u rikthyer më vonë në 2023 me administratën Biden./KultPlus.com