Shfaqja më e fundit e Dolce & Gabbana Alta Sartoria, një spektakël i besimit, modës dhe madhështisë

24 Korrik, 2025 - 5:45 pm

Dolce & Gabbana Alta Sartoria 2025 i jep pasarelës shpirt të shenjtë në zemër të Romës.

Në një nga shfaqjet më të guximshme dhe të diskutueshme të modës së viteve të fundit, Dolce & Gabbana prezantuan koleksionin e tyre të ri Alta Sartoria 2025 mbi urën historike Sant’Angelo në Romë.

Ura Sant’Angelo u shndërrua në skenë teatrale, në një zgjedhje të guximshme, marka e famshme transformoi këtë urë historike romake, pranë Castel Sant’Angelo, në një pasarelë. Dyzet ipeshkvë të vërtetë nga Vatikani ecën krah modelëve, duke krijuar një bashkim të jashtëzakonshëm mes ceremonisë fetare dhe modës së lartë, transmeton KultPlus.

Duke u frymëzuar rrënjësisht nga veshjet liturgjike katolike, koleksioni ndërthurte ritualin fetar me estetikën barok të markës, duke e kthyer sfilatën në një spektakël mes devotshmërisë dhe dekadencës. Prania e klerikëve në skenë nuk ishte provokim, por një nderim i përshpirtshëm për trashëgiminë katolike që e ka ushqyer gjithmonë imagjinatën e stilistëve Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana.

Koleksioni mori elemente nga veshjet kishtare, modelët mbanin rroba që përngjanin me rason e kuqe të kardinalëve, tunika të frymëzuara nga veshtjet liturgjike, mantela me gurë të çmuar dhe qëndisje të pasura, të gjitha të punuara me mjeshtëri të jashtëzakonshme dhe simbolikë fetare.

Prania e klerikëve të vërtetë i dha shfaqjes peshë dhe seriozitet, bashkëpunim shpirtëror, jo satirë. Don Alberto Rocca, një prift i afërt me themeluesit e markës, theksoi se dizajnet ishin një shprehje respekti për shpirtin fetar, një temë thelbësore në gjuhën vizuale të Dolce & Gabbana-s, të ngulitur thellë në trashëgiminë e tyre katolike.

Dolce & Gabbana përdorën traditën vizuale të katolicizmit romak jo si provokim, por si festim. Nga kryqet e qëndisura me fije ari, deri te gjestet e devotshmërisë të rikrijuara në detaje luksoze, e deri te vetë ipeshkvët që ecën në pasarelë, shfaqja ishte një homazh dramatik për ritin kishtar, i rikontekstualizuar përmes artizanatit të modës së lartë./KultPlus.com

Të ngjajshme