8 Gusht, 2025 - 6:54 pm
Mbrëmjet e 8 dhe 9 gushtit e kthejnë Shkodrën në kryeqendrën e muzikës live, me festivalin “Dua Fest”, një ngjarje artistike që premton energji të jashtëzakonshme dhe emocione të paharrueshme.
Nën qiellin e hapur dhe pranë mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, festivali sjell në skenë artistët më të dashur dhe më të suksesshëm të muzikës shqiptare, si Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj, si dhe emra të tjerë të njohur të skenës moderne.
“Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen”, kanë premtuar organizatorët.
Në listën e performuesve përfshihen edhe DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn dhe Hektor Jubani, të cilët do të sjellin ritme të ndryshme për një publik të gjerë.
Qëllimi i festivalit është të bashkojë muzikën me historinë dhe emocionet, duke promovuar Shkodrën jo vetëm si qendër kulturore, por edhe si një destinacion modern për evente muzikore të nivelit të lartë.
“Dua Fest” po pritet me entuziazëm nga publiku dhe pritet të jetë një ndër eventet më të suksesshme të verës në Shqipëri./KultPlus.com