‘Shliroj Cicat’ sjell në Prishtinë maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit

1 Tetor, 2022 - 1:35 pm

Festivali ‘Shliroj cicat’ i cili mblodhi vitin e kaluar gratë dhe të gjithë komunitetin me kauzën kundër kancerit të gjirit, rikthehet sivjet në edicionin e tij të dytë, përcjell KultPlus.com

Ky edicion, ndryshe nga ai i vitit të kaluar i cili zgjati vetëm një ditë, e kësaj here do të mbahet në datat 13 deri më 16 tetor.

Meqë një nga hapat kyç në luftimin e kancerit të gjirit është zbulimi i hershëm, përgjatë këtyre ditëve të përcjellura me aktivitete të shumta, festivali ‘Shliroj cicat’ ka për synim vetëdijësimin e grave për rrezikun nga kanceri i gjirit, të mësojë gratë se si të bëhet vetëtestimi, të avokojë për kushte më të mira në institucione publike të shëndetësisë për trajtim të kancerit të gjirit dhe të rrisin fonde në ndihmë të grave me kancer gjiri.

Ndonëse edicioni i vitit të kaluar pati një sukses të madh, kushtet në spitalin e Onkologjisë, aty ku trajtohen gratë me kancer të gjirit vazhdojnë të jenë të vështira.

“Por, vit pas viti, kushtet për trajtim të kancerit të gjirit në Kosovë mbesin të pa përmirësuara, në mos duke u bërë më të vështira. Gjendja në Klinikën e Onkologjisë është e papërshtatshme për trajtim dinjitoz të kancerit të gjirit, ndërsa vetëdijësimi për kancerin e gjirit prapë vazhdon të jetë i ulët.”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të festivalit ‘Shliroj Cicat’.

Në ditën e fundit të këtij festivali, më 16 tetor, ‘Shliroj Cicat’ sjell për herë të parë në Kosovë edhe maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit ‘Race for the Cure’.

“Vrapimi në këtë maratonë është mënyra më e mirë se si mund të kontribuojmë të gjithë së bashku në kauzë, duke e blerë maicën ju bëheni pjesë e vrapimit dhe kontribuoni në mbledhjen e fondeve.”, thuhet në postimin e ‘Shliroj Cicat’, ku më tutje festivali njofton se fondet e mbledhura nga shitja e maicave të ‘Race for the Cure’ do të përdoren për t’iu ndihmuar grave me kancer gjiri dhe për të përmirsuar kushtet e trajtimit në Klinikën Onkologjike.

Të gjithë ata që duan t’i bashkohen, maratona do të mbahet më 16 tetor në sheshin ‘Zahir Pajaziti’./ KultPlus.com

Të ngjajshme