Shpaloset “Këmbëkryq” nga Eliza Shala

28 Nëntor, 2022 - 11:30 pm

“Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, përmes ngjarjeve historike që mishërohen me këtë gjest. Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij. Një dritëshkronjë e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona. Me anë të kësaj skulpture, këtë 28 Nëntor, ai, protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij.”

Veprimtaria e Eliza Shalës shtrihet në fushën e skulpturës, ilustrimit dhe animacionit. Vlerat e kësaj krijimtarie rrjedhin nga lavdet që ajo ju bën heronjve të botës së saj imagjinare me guximin të rrokë ngjarje e personazhe historike, nën ndërthurjen e urbanes dhe trashëgimisë shpirtërore, duke i dhënë liri artit të saj, gjithnjë, duke i quar ujë në mulli njerëzores.

Vepra është realizuar në kuadër të KnKub Heritage financuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme