28 Maj, 2025 - 9:14 pm
Kalaja e Lëkurësit, në Sarandë është kthyer vitet e fundit në një atraksion të veçantë të turizmit në qytetin bregdetar.
Kjo kala ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, në një pozicion dominues mbi gjirin e Sarandës dhe qafën e Gjashtës, përballë Manastirit të Dyzet Shenjtorëve.
Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video me pamje nga perëndimi i diellit nga kalaja e Lëkurësit, Sarandë, mbushur me turistë.
Kalaja e Lëkurësit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 30 maj 1970.
Mendohet që ndërtimi i saj është bërë nga Sulltan Sulejmani në vitin 1537, kur sulmoi Korfuzin dhe ishte i domosdoshëm kontrolli i skelës së Sarandës dhe rrugës Sarandë-Butrint./atsh/KultPlus.com