Shtëpia e Bardhë shndërrohet në shtëpi përrallash, zbulohen pamjet e dekorimeve prej 98 bredhash dhe miliona dritash

29 Nëntor, 2023 - 1:31 pm

98 pemë Krishtlindjesh, 72 kurora dhe rreth 4.5 kilometër fjongo, Shtëpia e Bardhë është shndërruar në një shtëpi përrallash për festat e fundvitit.

Letrat drejtuar Santa Claus-it duket se fluturojnë në mënyrë magjike brenda dhe jashtë kutive postare të vjetra dhe një tren vintage qëndron rreth bazës së një bredhi krishtlindjeje. Ëmbëlsira janë vendosur kudo në Shtëpinë e Bardhë.

Magjia dhe gëzimi është tema e këtij viti, zbuloi të hënën, Zonja e Parë Jill Biden.

“Fëmijët e njohin të bukurën: mozaiku i pasur dhe shumëngjyrësh i gjetheve të vjeshtës të grumbulluar lart mbi një shtresë smeraldi bari, ritmi magjepsës i borës së butë që bie nga qielli i natës plot shkëlqim”, tha Biden teksa mirëpriti Gardën Kombëtare dhe familjet e ushtarëve lokalë në Shtëpinë e Bardhë, si të ftuarit e parë që panë dekorimin.

“Festimet ofrojnë një kohë për reflektim dhe një pushim nga jeta e shpejtë, një sezon për të qenë të pranishëm me miqtë dhe familjet tona. Është gjithashtu një sezon mirënjohjeje. Sepse, ju e dini, fëmijët kanë diçka për të na mësuar nëse jemi të mençur për të dëgjuar: si të jemi të pranishëm edhe pse jemi gjithë kohës të zënë, si të hapemi ndaj dashurisë dhe të mrekullohemi, edhe në momentet më të zakonshme”, u shpreh Zonja e Parë.

Çdo dhomë është krijuar për të kapur kënaqësinë dhe imagjinatën e pastër, pa filtra, të fëmijëve.

Zbukurimet, që përfshijnë 33.892 dekore dhe 142.425 drita festash, u instaluan në një periudhë një javore, me ndihmën e 300 vullnetarëve. Shtëpia e Bardhë pret që rreth 100.000 njerëz të vizitojnë gjatë sezonit të festave.

Në fillim të këtij viti, Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë zbuloi dizajnin e Krishtlindjeve të këtij viti, një kurorë festash e stolisur me kukulla, pëllumba, yje, lule, biskota, frymëzuar nga dekorimet e punuara me dorë gjatë periudhës kur në Shtëpinë e Bardhë qëndronte Gerald Ford, presidenti i 38-të i Amerikës./ KultPlus.com

Të ngjajshme