Shtëpia e Kulturës në Llukar të Prishtinës drejt rifunksionalizimit

29 Shtator, 2021 - 11:55 pm

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën jo-qeveritare “Stereospace”, përmes së cilës rifunskionalizohet Shtëpia e Kulturës në fshatin Llukar të Komunës së Prishtinës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, sipas Komunës, është që të krijohet hapësirë dhe mundësi për nxënësit dhe të rinjtë në Llukar, për aktivitete edukative dhe kulturore.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mori pjesë drejtori i Kulturës, Adrian Berisha, i cili ndër të tjerash u shpreh i lumtur që hapësirat sikurse ajo e Shtëpisë së Kulturës në Llukar, po i kthehen rinisë së Komunës sonë.

“Sot, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes filloi edhe shfaqja e programit të rregullt të filmave për nxënësit e shkollës ‘Ganimete Tërbeshi’, ndërsa ne bashkë me ekipin e 2cm Humans u përkujdesëm që nxënësve të ju shpërndajmë libra për ngjyrosje”, tha Berisha.

Ndryshe, kohë më parë organizata “Stereospace”, bashkë me shkollën publike “Ganimete Tërbeshi” në Llukar dhe Komunën e Prishtinës kanë filluar bashkëpunimin dhe përpjekjet për rikthimin e aktiviteteve kulturore në Shtëpinë e Kulturës në Llukar për nxënësit e shkollës dhe komunitetin. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, “Stereospace” ka organizuar dhe do të organizojë një numër aktivitetesh kulturore në shtëpinë e kulturës në këtë fshat për komunitetin dhe artistët.

“Investimet në infrastrukturën kulturore dhe në komunitet vlerësohen si të nevojshme për mirëqenien shëndetësore dhe sociale si dhe integrimin ekonomik të komuniteteve. Infrastrukturat kulturore dhe me bazë në komunitet luajnë rol të rëndësishëm në bashkimin e njerëzve dhe përkrahin ndërtimin e shoqërive dhe rrjeteve sociale të përkrahjes. Ato ndihmojnë komunitetet të zhvillojnë shkathtësi të qëndrueshme jetësore”, tha drejtori Berisha ndër të tjerash. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme