Shtëpia e Xhafer Devës lajm nëpër botë, e publikon edhe Reuters

11 Shkurt, 2022 - 9:30 pm

Rinovimi i një shtëpie në Kosovë që i përkiste një ministri tw njw qeverie pro-naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ka nxitur një protestë, me Gjermaninë që paralajmëroi për “zbardhjen” historike dhe Bashkimin Evropian e Kombet e Bashkuara ndaluan projektin, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Shtëpia trekatëshe me tulla të kuqe në Mitrovicë, e ndërtuar në vitet 1930 nga arkitektë austriakë, ishte shtëpia e Xhafer Devës, i cili shërbeu si ministër i brendshëm në qeverinë pro-gjermane në vitet 1943 dhe 1944.

Në një deklaratë të përbashkët, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kërkuan falje për anashkalimin e sfondit historik të Devës kur shpallën projektin për restaurimin e shtëpisë si një vend të trashëgimisë kulturore.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joren Rohde, tha se ishte shumë i shqetësuar për restaurimin.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin apo krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, tha Rohde në Twitter në fillim të kësaj jave, duke thënë se projekti rrezikonte zbardhjen e histories.

Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës i Kosovës, mbrojti projektin e restaurimit në një konferencë shtypi një ditë pas vendimit të BE-së dhe UNDP-së për të ndërprerë punën në vend.

“Ne po e restaurojmë monumentin por jo historinë e Xhafer Devës”, tha Çeku. Ai nuk konfirmoi nëse qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë për restaurimin.

Në kohën kur Deva ishte ministër, Kosova konsiderohej nga Gjermania si pjesë e Shqipërisë.

Historianët thonë se njësitë e forcave të sigurisë nën udhwheqjen e Devws, të cilët i shihnin nazistët si aleatë për të luftuar komunistët, kryen mizori duke përfshirë masakrën e simpatizantëve të dyshuar antifashistë. Megjithatë, disa kërkime të fundit thonë se Deva mund të ketë ndihmuar në mbrojtjen e hebrenjve.

“Ai është një kriminel lufte, ai ka kryer krime kundër kundërshtarëve të tij politikë, por personalisht ai kurrë nuk ka pranuar të dorëzojë listat e hebrenjve të Kosovës pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve naziste,” thotë Durim Abdullahu, profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Prishtinës.

Pas luftës, Deva u largua nga Kosova. Ai jetoi në disa vende evropiane përpara se të vendosej në Kaliforni, ku vdiq në vitin 1978.

Në Mitrovicë ai ende kujtohet. Pak metra larg shtëpisë, një mur në sheshin kryesor është zbukuruar me fotografi të njerëzve të shquar nga qyteti, duke përfshirë Devën dhe kryeministrin në qeverinë e kohës së luftës, Rexhep Mitrovicën.

Një dëshmitar i Reuters gjeti tre rrugë me emrin e Devës në Kosovë, duke përfshirë një në Prishtinë disa qindra metra larg Ambasadës Gjermane./ KultPlus.com

REUTERS/Laura Hasani

Të ngjajshme