24 Korrik, 2025 - 3:40 pm
Një moment në dukje i padëmshëm gjatë një koncerti të Coldplay mori përmasa virale, kur “KissCam” kapi një çift që u përpoq (pa sukses) të shmangte kamerën. Brenda pak orësh, videoja u shpërnda në rrjetet sociale me meme, parodi dhe spekulime për identitetin e tyre.
Përdoruesit online nuk humbën kohë për të zbuluar se kush ishin. Kompania e teknologjisë Astronomer më vonë konfirmoi se personat në video ishin CEO-ja dhe shefja e burimeve njerëzore të saj. Si pasojë e zbulimit, CEO-ja dha dorëheqjen gjatë fundjavës.
Ngjarja ndezi diskutime të gjera rreth etikës në biznes, përgjegjësisë së drejtuesve dhe pasojave të konflikteve të interesit. Por ajo hapi edhe një debat më të madh: në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur online, a ekziston më privatësia në hapësira publike?
Nga kamerat e sigurisë e deri te telefonat e çdokujt, pamjet e përditshmërisë sonë mund të filmohen dhe shpërndahen në çdo moment. Në ambiente si stadiume apo koncerte, shikuesit janë bërë pjesë e spektaklit. Dhe ndërsa dikur këto momente mbeteshin brenda vendit ku ndodhnin, sot ato përhapen me shpejtësi në internet.
Profesori Ellis Cashmore, autor i librit “Celebrity Culture”, thekson:
“Nuk mund të flasim më për privatësi në kuptimin tradicional. Nëse je në një koncert me qindra njerëz, nuk mund të presësh privatësi.”
Pasi videoja shpërtheu online, ndodhi edhe ajo që ekspertët e quajnë “doxing”, identifikimi dhe ekspozimi publik i individëve në video. LinkedIn-et e të dy punonjësve u mbyllën dhe media nuk arriti të kontaktojë asnjërin për koment.
Madje, edhe persona që nuk ishin në video u përfshinë gabimisht. Një grua që ndodhej pranë çiftit u komentuar dhe gjykua, me pretendimin se ishte punonjëse e kompanisë, gjë e cila më vonë u mohua zyrtarisht.
Mary Angela Bock, pedagoge në Universitetin e Teksasit, thotë:
“Nuk është vetëm kamera që përbën rrezik, por sistemi i shpërndarjes. Një moment mund të bëhet viral dhe të ketë pasoja reale, emocionale dhe profesionale për ata që shfaqen në të.”
Ndërsa teknologjia avancon me shpejtësi, shoqëria duket se nuk ka ecur në të njëjtin hap me rregullat etike. Ekspertët ngrenë shqetësimin se, në përpjekjen për të argëtuar veten dhe të tjerët online, shpesh harrojmë pasojat për individët që bëhen “objekte” virale.
“Media sociale ka ndryshuar shumë,” thotë Bock.
“Por ne ende nuk kemi zhvilluar një kulturë të përgjegjshme për ta përballuar atë.”
Por derisa të vihen rregulla apo ligje, Bock thotë se të gjithë duhet të senibilizohemi dhe të mendohemi mirë para se të shpërndajmë një video./anabel/