6 Maj, 2025 - 1:04 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit zhvilloi aktivitetin me temë “Skënderbeu, identiteti dhe bashkëkohësia”, në kuadër të 620-vjetorit të lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
I ftuar në këtë aktivitet ishte historiani i mirënjohur, Pëllumb Xhufi, i cili shpalosi sot në hapësirat e QKLL-së përballë një audience të rinjsh, një histori të jashtëzakonshme të Skënderbeut, si një figurë madhore, unifikuese të kombit shqiptar, e cila është një pikë e rëndësishme referimi modelesh për historinë, politikë, kulturën sot.
Mes të tjerash, në takim u kujtua fakti se si Indro Montanelli, gazetari i njohur italian, e quante Skënderbeun si “poetin e madh të politikës shqiptare”.
I cilësuar si shqiptari më i njohur në botë ndër shekuj, Skënderbeu nderohet si prijës ushtarak dhe strateg i fortë i mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar.
Rëndësia e Skënderbeut në historinë e popullit shqiptar, ndërkaq, nuk është vetëm ushtarake, por edhe politike, shtetkrijuese, diplomatike e qytetëruese.
Për shekuj me radhë shërbeu si burim frymëzimi i intelektualëve pasardhës, të cilët luftuan për lirinë dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar./atsh/KultPlus.com