Sopranoja e re Edina Pllana: Unë gjithmonë kam ëndërruar të bëhem një solo këngëtare

29 Qershor, 2020 - 9:51 am

Qendrim Badalli

“Unë me muzikën jam lidhur që nga fëmijëria e hershme. Unë mund ta kujtoj edhe tash kohën kur si fëmijë kam qarë me muzikën e kompozitorit Brams. Gjithmonë kam qenë e njohur si një fëmijë që ka kënduar gjithkund. Në shkollë fillore mësuesja më kishte zgjedhur si këngëtarja e klasës ku isha vetëm tetë vjetësh. Kënga ime e preferuar që e këndoja atëherë ishte “Vjeshta”.  Shpesh gjatë orës se Edukatës Fizike jemi mbledhur në oborr të shkollës ku mu më kanë rrethuar të gjithë shokët e shoqet e klasës dhe unë këndoja për qefin e tyre, nën duartrokitjet e të gjithëve”.

Kështu e nisi intervistën për KultPlus, Edina Pllana, një nga talentet më të spikatura të muzikës klasike në Kosovë.

Tutje, ajo vazhdon intervistën duke rrëfyer sesi zgjodhi që të vazhdojë me muzike pavarësisht se kishte suksese edhe në drejtimet tjera:

“Unë kam pasur suksese edhe në drejtimet tjera përveç muzikës por meqë të tjerët më thonin se jam më e talentuar në muzikë, kam vazhduar me këtë drejtim. Unë gjithmonë kam ëndërruar të bëhem një solo këngëtare dhe shtytës drejt kësaj është sopranoja Elbenita Kajtazi, të cilën e falënderoj shumë dhe e cila është gjithmonë krah meje. Gjithmonë mund të kesh sugjerim se si të vendosësh për karriere, mirëpo atë zjarrin që e ke brenda kurrë nuk duhet ta shuash dhe gjithmonë duhet të vazhdosh përpara. Fatmirësisht, për këtë drejtim unë kam pasur edhe mbështetjen familjare, dhe shpresoj që edhe të tjerët ta kenë pasur dhe ta kenë në vazhdimësi”.


“Çdo gjë është e mundur”, i kishte thënë sopranoja me famë ndërkombëtare, Albenita Kajtazi, Edina Pllanës, në një moshë të re kur ajo ka qenë në hapat e parë të muzikës klasike:

“Shkolla e Muzikës në Mitrovicë ka qenë njoftimi i parë për mua me teorinë e muzikës. Besoj që për çdo artistë është një mundësi shumë e mirë që ta filloj karrierën dhe t’i marrë hapat e parë profesional prej kësaj kohë dhe në këtë mënyrë. Kemi pasur edhe disa koncerte korale dhe solo atëkohë ku unë kam marrë pjesë. Në këtë kohë kam mbajtur edhe Master Klasën e parë me Albenita Kajtazin, dhe nga ajo e kujtoj një porosi që gjithmonë më ka ngelur në mendje “Çdo gjë është e mundur”.

Ndryshimi i vendbanimit nga Vushtrria në Prishtinë nuk e kishte destabilizuar Pllanën në asnjë drejtim. Ajo flet për ‘adaptim të shpejtë”:

“Besoj se ne si njerëz jemi të prirë të kemi frikë nga ndryshimi, mirëpo nga ky ndryshimi im i vendbanimit kam pasur shumë të mira. Adaptimi ka qenë relativisht shumë i shpejtë. Unë nuk kam pasur paragjykime ose pengesa tjera, as në rrafshin profesional as në atë njerëzor”.

Pllana flet për studimet në Universitetin e Prishtinës, teksa përmend speficikisht profesorin dhe kompozitorin e njohur Mendi Mengjiqin:

“Vitet e para të studimeve kanë qenë vitet më efektive dhe më produktive për mua si një artiste e re. Kam marrë pjesë në disa koncerte që kemi organizuar brenda fakulteti. Për mua ka qenë privilegj që në studime ta kem profesorin Mendi Mengjiqi.  Gjithashtu me duhet të falënderoj edhe të gjithë profesorët e tjerë që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në ndërtimin tim artistik”.

Tutje, sopranoja e re nga Kosova, ka vlerësim të mirë për Universitetin e Prishtinë.

“Për kushtet që kemi, unë jam shumë e kënaqur me Universitetin e Prishtinës. Është shumë mirë që ofrohet një mundësi për talentet dhe artistët që t’i marrin hapat e parë në këtë universitet. Mendoj se niveli është solid. Ka shumë profesorë që punojnë me gjithë përkushtimin e mundshëm”.

Pllana flet për koncertet solistike që ka pasur gjerë tani teksa tregon edhe për rregulla që i ndihmojnë artistët para çdo koncerti.

“Vitin e kaluar në muajin Maj, kam mbajtur koncertin solistik me vepra nga Moxard-i, bashkë me disa kolegë të tjerë. Kam pasur edhe një koncert tjetër pas muajit Maj, ka qenë koncerti më i mirë që kam pasur deri tani sepse ka qenë koncert me orkestër, ka qenë momenti ku jam ndjerë tepër e përmbushur. Para çdo koncerti, ne artistët i kemi disa rregulla që na ndihmojnë shumë, dhe që ia rekomandoj çdo artisti, ato janë meditimet e ndryshme, relaksimi i plotë, dhe mbushja me vetëbesim”.

Edina Pllana, ka pasur ftesë për koncert në Gjermani por që situata pandemike e krijuar ndërkohë ia kishte ndalur rrjedhën:

“Kam pasur një ftesë nga kori amerikano-gjerman, kam qenë e ftuar si mysafire për një koncert në Frankfurt, por fatkeqësisht shkaku i situatës pandemike është bllokuar gjithçka. Megjithatë, vet ftesa për një koncert në Gjermani për mua do të thotë shumë”.

Emrat e njohur të muzikës klasike nga Kosova me famë ndërkombëtare si Ramë Lahaj, Inva Mula, Ermonela Jaho, Pllana i quan ‘shtylla kryesore artistike’ për ne:

“Ata janë shtylla jonë kryesore artistike. Ata janë modelet për ne të rinjtë se si asnjëherë nuk duhet dorëzuar dhe gjithmonë duhet të vazhdojmë përpara për të arritur sukseset. Me Ramë Lahajn kam pasur një Master Klasë kohë më parë, mendoj se ai është i jashtëzakonshëm”.

Ajo vlerëson potencialin artistik në vend por shprehet e pakënaqur me ndihmën e shtetit për artistët në përgjithësi:

“Unë mendoj se përgjithësisht jemi në hapa të mirë. Koncertet që po zhvillohen nga Filarmonia e Kosovës dhe aktivitetet tjera janë sinjale të mira për fushën e kulturës në Kosovë. Fatkeqësisht shteti nuk i ndihmon artistët në vendin tonë. Nëse do të isha në ndonjë pozitë vendimmarrëse, artistët do t’i ndihmoja në çështjet financiare”.

“Unë dua ta shoh veten në shtëpi artistike”, tha sopranoja e re Edina Pllana duke e përfunduar intervistën për KultPlus.

“Synimi im është përmbushja e të gjitha ëndrrave të mija. Unë dua ta shoh vetëm në shtëpi operistike diku jashtë shtetit, në vendet ku është e zhvilluar shumë muzika klasike. Unë ftoj të gjithë bashkëmoshatarët që asnjëherë të mos e lëshojnë qëllimin e tyre, të luftojnë dhe të kenë besim në vete”.  / KultPlus.com



Të fundit

Të ngjajshme