Spektakël nga qielli mbi aerodromin fushor të Gjirokastrës

23 Korrik, 2022 - 10:36 am

Kryeministri Edi Rama solli këtë mëngjes në vëmendjen e publikut pamje nga hedhjet me parashutë në aerodromin fushor të Gjirokastrës, sport që po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar.

“Mirëmëngjes dhe dhe me këtë spektakël nga qielli mbi Aerodromin Fushor të Gjirokastrës, që tashmë me certifikimin e tij i hap rrugë një lloji të ri turizmi, atë të fluturimeve dhe hedhjes me parashutë, duke i dhënë Gjirokastrës historike edhe më shumë vlerë turistike, ju uroj një fundjavë të bukur”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh, vitin e kaluar, në Gjirokastër u rikthyen fluturimet në aerodromin sportiv.

Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës ka diversifikuar ofertën turistike në qytetin e gurtë, i cili vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Fluturimet në Gjirokastër ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme