Spiro Dine, mbledhës i folklorit shqiptar

28 Gusht, 2021 - 9:30 pm

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, duke ndihmuar organizimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të shqiptarëve të Misirit. 

Në vitin 1866, shkoi në Egjipt (në Misir), me nxitjen e Th. Mitkos dhe iu vu punës për mbledhjes e lëndës folklorike. Më 1908 ai botoi në Sofje veprën “Valët e detit”, ku përveç materialeve folklorike përmblodhi edhe krijimet poetike të veta e të disa atdhetarëve të tjerë.

Vepra përfshin një lëndë të gjerë dhe është ndër botimet më të rëndësishme folklorike të Rilindjes. Spiro Dine vdiq në Misir.

Vepra është shumë e rrallë, botim i vitit 1908. Në të janë përmbledhje nga këngët folklorike që Spiro Dine ka grumbulluar. 

Lidhja e librit është e mirë (pavarësisht nga koha e gjatë e kaluar). Faqet e librit janë të zverdhura për shkak të kohës së kaluar.

Spiro Dine është ndër të paktët krijues shqiptarë që përdori penën, lapsin dhe bllokun e shënimeve të tij për të grumbulluar traditën folklorike shqiptare dhe për ta lënë atë si një shportë poetike për brezat.

“Valët e detit”(1908) është një dëshmi për këtë. Por mjafton vetëm vjersha “Mendiake” të zbulohet kjo dhe të analizohet paksa ndryshe krijimtaria e Dines. 

Vjersha “Mendiake” është e shkëputur nga “Valët e detit” dhe ka qenë e ribotuar te Kalendari i Botës në vitin 1939, në faqen 70-të. Kjo vjershë e botuar në këtë kalendar të shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Bota”,  Massachusetts Avenue, Boston, Mass edhe pse duket se është një simbolikë e punës folklor-mbledhëse të Dines, ka vlera të tjera të pazbuluara më parë. 

Është një poezi që dominohet nga një vargëzim tipik i kohës kur ajo u botua në Sofje. Por ajo që vetë Dine shpjegon çon paksa dritë në këtë tematikë që duam të trajtojmë. 

Në parathënien e veprës së tij “Valët e Detit”, të botuar në Sofje, Bullgari më 1908, folkloristi Spiro Dine shpjegon mënyrën se si mblidhte folklorin nga shqiptarët: “… kudo që gjenja shqiptar do t’i ngarkohesha dhe do t’i lutesha të më thoshin sa që dinte. Por edhe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe shqiptarë shumë n’Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje shqiptarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nuk rreshtnin”. 

E njëjta situatë sa më sipër gjendet edhe te copa letrare “Kënga”, e shkruar nga Lumo Skëndo në Stamboll më 20.10.1910: 

“… Meçi, me gjithë të dyzetat e shkuara dhe të pesëdhjetat e afëruara, po mirrte këngën: të tjerët me radhë si cilido pas zërit që kish, po e priste , dhe kështu këng’ e Labërisë po gumëzhinte në këtë dyqan të vogël në mes të të madhit Stamboll”.

Vjersha në fjalë e Dines është një kompleks proverbial në plan të parë. Por në aspektin strukturor ajo është një poezi model e pas viteve 1900, kur folklori ishte një realitet ushqyes për tematikën poetike. Nga ana tjetër kemi një mrekulli grupfjalësh që prodhojnë alegori, filozofi dhe përcjellin kuptimin shpotitës te lexuesi në mënyra të dukshme e të padukshme. 

Në kuptimin kompleks të saj fjala e vjershës së Dines është një element më vete. Themi se është një element më vete, pasi në çdo detaj ajo plotëson një shumëkuptimësi të larmishme, që e bën atë të lexohet këndshëm në shumë kultura. Kjo ka bërë që ajo edhe sot të ketë një dimension logjik dhe tepër transparent.

Bazuar në folklorin shqiptar, poezia e Dines lexohet ndryshe në fakt nga ajo që kjo poezi strukturon për të ndërtuar një poezi mesazh-dhënëse. 

Më tutje në insinuata alegorike ajo ngjan me alegorinë e zonës së Luznisë në Dibër, ku fjala shpreh kuptimin e shprehur në lidhje me situatën apo veprimin që dhe ku referohet ajo. Këtu karakteret sillen si një figurë alegorike që nën veshjen metaforike dhe epitetet e shumta shihet edhe leximi i tyre nga njerëz të ‘kualifikuar’ për t’i lexuar ata në fakt. 

Themi kështu pasi që në fillim nënkuptimi figurativ i ‘lisit’ është një ndërlidhje filozofike më vete, po aq edhe një shpoti ‘dritëhije’ (chioroscouro) që forcon tempin proverbial. 

Sipas W. Eberhard dhe Pertev N. Boratov në “Revistën e Folklorit Amerikan”, kjo fortësi e tempit proverbial është një lidhje që vjen nga tradita e poezisë në vitet 1908 dhe para tij. 

Sipas këtyre studiuesve e gjithë krijimtaria poetike që fillonte nga Turqia e që përfshinte gjithë Lindjen dhe mesin e Europës frymëzohej dhe ushqehej nga folklori dhe krijimtaria folklorike. Në fakt ata në kritikën dhe kërkimin e tyre zbuluan se poezia kishte ndikime kulturash mbi të, po aq sa edhe ndikime strukturore. 

Poezia e Dines shihet në këtë ndriçim teorik në fakt si një poezi e ndikuar strukturalisht nga vala e poezisë së asaj kohe, por në aspektin folklorik ajo ngjan paksa e papërlyer, për vetë faktin se Dine përdori intuitën e tij të veçantë që të mbante shënime për folklorin e mbrujtur nga shqiptarët e emigruar apo të gjendur në mjedise ku ndodhej Dine vetë. 

Këtë traditë e kanë përdorur më parë në të njëjtën kohë që autori krijoi “Valët e detit” edhe mjaft autorë turq si A. Golpinarh, Izalhi Halk Siiri dhe Pir Sultan Abdal, të tre të mirënjohur në atë kohë si grumbullues folklori dhe poetë me emër të asaj periudhe. 

Në atë kohë në kulturën poetike bullgare dominimi i poezisë turke ishte i ndjeshëm, po aq sa ishte e ndjeshme edhe ana komplekse strukturore që sigurohej nga shkolla me afërsi dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën. Bazuar në këtë bashkëpunim dihet fakti që shumë poetë dhe novelistë i bazuan krijimet e tyre te folklori. 

Pas revolucionit të vitit 1908 në Turqi, ku krijimtaria u ndikua nga elementët nacionalistë, pati një shkëputje në këtë bashkëpunim. Është e rëndësishme të theksohet se Thimi Mitko dhe Spiro Dine, në këtë periudhë mërguan në Egjipt, ku mblodhën këngë folklorike nga bashkësitë shqiptare që banonin atje. / cbc.al / KultPlus.com

Të ngjajshme