29 Korrik, 2025 - 11:37 am
Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”. Kjo është një arritje mbresëlënëse për ta, e cila tregon nivelin e lartë të përgatitjes dhe angazhimit të studentëve të juridikut të UP-së në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.
Rundet finale të garës u zhvilluan në ambientet historike të Gjykatës së Nurembergut, në Sallën Nr.600, aty ku u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore, nga data 23-26 Korrik 2025, në Nuremberg, Gjermani. Nga 140 ekipe që morën pjesë në fazën e shkrimit të memorandumeve, vetëm 40 ekipe u kualifikuan për rundet finale me gojë, dhe ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ishte një ndër to.
Ky sukses i studentëve të Universitetit të Prishtinës është një dëshmi e qartë e përgatitjes akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë të njohur botërorë, përfshirë profesorë, prokurorë dhe gjyqtarë.
Ekipi i përfaqësuesve të Fakultetit Juridik të UP-së ishte përbërë nga studentët: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu.
Ky rezultat tregon se studentët e Universitetit të Prishtinës janë jo vetëm të përgatitur për sfida akademike, por gjithashtu për të kontribuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare me një nivel të lartë profesional./KultPlus.com