Studentët ia mësyjnë kurseve private, ligjëratat në UP nuk u mjaftojnë për provime

8 Janar, 2020 - 4:30 pm

Në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës është bërë traditë që studentët ta kenë të vështirë t’i kryejnë provimet, rrjedhimisht ata ‘detyrohen’ të ndjekin kurse private, shkruan Literal Media.

Një gjë e tillë tregon kualitetin e ‘brishtë’ që Fakulteti Teknik, përmes ligjëratave dhe ushtrimeve, ofron te studentët.

Për të kuptuar më mirë arsyet pse studentët ndjekin kurse private, Literal Media ka pyetur një prej tyre.

“Lëndët që kanë nevojë për kurse më së shumti janë Bazat e elektroteknikes, Sinjale dhe Sisteme. Nëse nuk kalohet provimi, mundësohet përsëritja e kursit me të njëjtin çmim. Mendoj se asnjë provim nuk është i pakalueshëm vetem se pa kurse merr kohe shumëfish më shumë. Sa i përket ligjëratave në Fakultetin Teknik, shumica e tyre janë të pamjaftueshme për studentët, disa për shkak të orëve të pakta e disa edhe shkaku i profesorëve”, ka thënë njëra nga studentet që ka ndjekur kurse private.

Gazeta ka kontaktuar edhe njërin nga Profesorët që ofrojnë kurse private për studentët e Fakultetit Teknik, i cili tregoi se një nga arsyet pse studentët ndjekin kurse private është mungesa e efektivitetit të ligjëratave në UP.

“Studentët vijnë në kurs në ato raste kur duan ta përfundojnë fakultetin më shpejt. Në rast se edhe pas kursit nuk e kalojnë provimin, atëherë ata konsultohen me neve a ta ndërrojnë drejtimin apo të vazhdojnë përpjekjet”- shtoi Profesori.

Ndërsa Fakultetin Teknik nuk janë në dijeni për këto kurse private;

“Ne jemi në dijeni për kurset private që mbahen në disa lëndë dhe personalisht e kam diskutuar disa herë me studentë të vitit të parë. Nuk kam arritur me marr asnjë përgjigje e cila do të sinjalizonte se diçka nuk është në rregull me ligjeratat, ushtrimet dhe konsultimet me studentë. Thjeshtë ndjekin një praktikë, pa asnjë sqarim shtesë.  Stafi është në dispozicion për të gjitha kërkesat e studentëve dhe me sa jam në dijeni janë zvogluar dukshëm, por nuk është eliminuar në tërësi. Thënë shkurt, nuk ekziston arsye e bazuar për kurse të tilla dhe se deri sot nuk kemi pasur asnjë ankesë nga studentët, për ndonjë lëndë të caktuar”, tha Enver Hamiti nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës. /KultPlus.com

Të ngjajshme