‘Take Off’ në Festivalin HAPU, kur qielli zbriti në rrugët e Prishtinës

5 Gusht, 2025 - 11:15 am

Në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të artit në hapësira publike “HAPU”, rrugët e Prishtinës u kthyen në një pistë imagjinare për nisje drejt një udhëtimi që sfidoi gravitetin dhe realitetin. Ishte performanca “Take Off” nga Tac o Tac, trupa artistësh nga Franca, që solli një spektakël të shkëlqyeshëm: një paradë lëvizëse, me elemente të teatrit vizual dhe teknologjisë.

Të veshur me kostume futuristike dhe të ngjitur mbi kingala pneumatikë, performuesit marshuan përmes zemrës së qytetit. Pamja e pazakontë e trupave që “ecnin mbi qytet”, duke u lëkundur hijshëm mes ndërtesave dhe turmës, krijoi një atmosferë të përbashkët ëndërrimtare, ku realiteti u zbeh për t’i lënë vend imagjinatës kolektive, transmeton KultPlus.

“Take Off” nuk ishte thjesht një performancë, ishte një ftesë për të ndjerë gravitetin e lehtësuar të artit. Prishtina, përmes kësaj ecjeje të përbashkët, u përjetua nga publiku nga një perspektivë qiellore: një qytet që fluturon, që sheh veten nga lart, që guxon të ëndërrojë në mes të trotuareve.

Kjo paradë nuk i imponoi spektatorit një vend statik. Përkundrazi, e ftoi atë të ecë, të bashkëudhëtojë, të bëhet pjesë e një koreografie të improvizuar urbane, ku kufijtë mes artistëve dhe publikut zhdukeshin në mënyrë natyrale.

Me një kombinim të shkëlqyer të estetikës vizuale dhe futuristikës, “Take Off” ishte një nga momentet kulmore të edicionit të sivjetshëm të “HAPU”, një dëshmi se arti në hapësirë publike mund të jetë i madhërishëm, i gjallë dhe thellësisht transformues. Tac o Tac sollën më shumë se një performancë, sollën një gjendje, një çlirim të përkohshëm nga pesha e përditshmërisë, një prekje të lehtë nga qielli.

Në një qytet që gjithnjë më shumë po e përqafon artin si formë të dialogut dhe bashkëjetesës urbane, “Take Off” ishte një moment fluturimi i përbashkët, drejt një realiteti ku arti nuk sheh nga larg, por ecën mes nesh./KultPlus.com

Të ngjajshme