4 Qershor, 2025 - 6:46 pm
Edukimi i brezit të ri përmes këngës polifonike, nën drejtimin artistik të “Mjeshtrit të Madh” Roland Çenko, solli në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër takimin e polifonisë, një mbrëmje emocionesh, tradite dhe krenarie kombëtare, me pjesëmarrjen e të rinjve, grupeve polifonike dhe artistëve të apasionuar.
Ky projekt i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mblodhi në skenën e hapur grupe polifonike nga trevat e ndryshme të vendit, duke krijuar një mozaik të gjallë të traditave vokale, këngëve isopolifonike dhe valles popullore shqiptare.
Rreth 150 nxënës nga tre shkolla të Gjirokastrës dhe shkolla e Libohovës performuan këngë polifonike dhe valle tradicionale, një dëshmi e angazhimit të të rinjve për të mbajtur gjallë isopolifoninë, një nga format më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare. Në vitin 2005, isopolifonia shqiptare u njoh nga UNESCO si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit, një status që vlerëson jo vetëm bukurinë artistike të saj, por edhe forcën me të cilën vijon të përcillet përmes brezave./atsh/KultPlus.com