Të hënën mbahet aktiviteti “Tregimi i fundit” në përkujtim të grave të vrara nga dhuna familjare

22 Nëntor, 2019 - 3:30 pm

Në emër të Qendrës për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime – SIT, do të mbahet aktiviteti “Tregimi i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë.

Hapja e aktivitetit do të bëhet përballë ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës të hënën me 25 nëntor në ora 11:00, kurse nënshkrimi i zotimit për luftimin e dhunës kundër grave do të bëhet në ora 12:00 ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve publike. Ky aktivitet organizohet në kuadër të kampanjës së përvjetshme 16 Ditët e Aktivizmit dhe do të zgjasë për tri ditë (25, 26, 27 nëntor).

Historitë e grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në Kosovë do të vendosen përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kalimtarët do ta kenë rastin të lexojnë për dhunën që gratë në Kosovë e përjetojnë përgjatë viteve. Qëllimi ynë është që të rrisim vetëdijen e qytetarëve dhe të thërrasim institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e Dhunës Kundër Grave.

Pjesë e ngjarjes do të jetë edhe një deklaratë e “Zotimit Publik” ku të gjithë do të zotohemi se do të jemi aktivë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Tregimi i Fundit” dhe 16 Ditët e Aktivizmit janë pjesë e projektit “Burrat dhe djemët si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” i implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim,

Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), OAK Foundation dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme