Të martuar prej 70-të vitesh, çifti që u nda nga covidi ritakohen pas një viti (VIDEO)

4 Prill, 2021 - 6:57 pm

Në 72 vite martesë, vetëm covidi arriti t’i ndajë. Por pas 1 viti larg nga njëri tjetri dhe në gjendje kritike për jetën, Xhon dhe Kei ribashkohen.

94-vjeçari John Doyle nuk i kursen fjalët e bukura për të dashurën e tij të zemrës, Kei. Dhe çifti i martuar prej 72 vitesh, nuk e kursen kohën kur nxiton të rrëmbejë një puthje.

Si ndihesh që e takove?, pyesim Kei. “Mrekullisht. Do doja të isha më afër me të”, përgjigjet ajo. “Është magjike, vërtetë. Nuk e di më sa kohë ka kaluar”, shton John.

Covidi i ka mbajtur një vit të ndarë nga njëri tjetri. Të dy u sëmurën por i mbijetuan virusit. Gjatë 1 viti janë takuar për së largu por për dy të dashuruarit, aq nuk mjaftoi. E kanë ndjerë mungesën e njëri-tjetrit.

Edhe pse prej dekadash bashkë, gjatë pandemisë ata përjetuan stuhi të vërteta. Çifti i 90-vjeçarëve humbën të afërm e miq nga virusi vdekjeprurës. Vajza e tyre Jackie u nda nga jeta dhjetorin e shkuar.

 “Ata thanë se ajo kishte nevoja speciale por unë them se ajo ishte speciale”, thotë John. Por në kohëra të mira e të këqija, në sëmundje e shëndet, Xhon dhe Kei, kanë qenë aty për njëri tjetrin, gjithnjë. “E duam njëri tjetrin”, thonë, “sekreti është fati. Ne kemi qenë me fat”. /a2/ KultPlus.com

Të ngjajshme