Përfundon restaurimi i plotë i kishës së Shën Mërisë, në Barmash të Kolonjës

22 Shkurt, 2024 - 5:31 pm

Kisha e Shën Mërisë, në fshatin Barmash të Kolonjës, është rikonstruktuar plotësisht. Lajmi u dha nga bashkia Kolonjë e cila ndau në rrjetet sociale edhe imazhet e objektit të kultit, Monument Kulture i Kategorisë I.

“Falë insistimit të bashkisë Kolonjë, investimit nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe përkushtimit të drejtorisë së Monumenteve të Kulturës Korçë sot kisha e Shën Mërisë në Barmash është totalisht e rikonstruktuar”, shkruhet në faqen online të bashkisë Kolonjë.

Kisha e Shën Mërisë është monument i kategorisë së parë, me vlera të mëdha, e cila i përket shekullit të XVI.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, kisha e Shën Mërisë në fshatin Barmash iu nënshtrua punimeve restauruese. Duke iu përmbajtur projektit të miratuar, punimet nxorrën në pah kishën, gjurmët e narteksit dhe elementët përbërës të tij, duke ruajtur vlerat e kësaj pasurie kulturore.

Këto ndërhyrje restauruese u kryen me investime të buxhetit të shtetit, nën mbikëqyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Korçë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme