Tenori Ramë Lahaj viziton shtëpinë e të moshuarve, i fton të bëhen pjesë e festivalit RLIOF

20 Korrik, 2023 - 1:14 pm

Tenori i njohur shqiptar, Rame Lahaj, pavarësisht ngarkesës së përgatitjeve të festivalit i cili është në prag të nisjes së edicionit të 3-të me radhë, ka gjetur kohë të bëjë një vizitë shumë të veçantë, shkruan KultPlus.

Tenori Lahaj, ditën e sotme ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë dhe ka shfrytëzuar rastin t’i ftojë që të bashkohen në festivalin RLIOF.

Kjo ftesë, padyshim që është mirëpritur nga të moshuarit pasi është një iniciativë jashtëzakonisht e mirë për të ju dhënë atyre mundësi që të bëhen pjesë e organizimeve të ndryshme në vend.

“Pavarësisht ngarkesës së përgatitjeve të festivalit, posaçërisht Gala Mbrëmjes që mbahet këtë të diel më 23 Korrik në Sheshin e Prishtinës, asesi nuk mund të mos vija deri tek Shtëpia e të Moshuarve, për t’i vizituar e për t’i ftuar të na bashkohen në festival. Këto shtëpi janë shtëpi të Zotit ku akomodohen ma të dashtunit e ma të mirët e shoqërisë sonë.

Marrë parasysh rrugëtimin sfidues të kombit tonë, traditën e kulturën, karshi dinamikës së madhe të jetës moderne, ne e kemi obligim moral që asnjëherë mos ta humbasim fokusin nga këto shtëpi të bekume”, shprehet Lahaj duke bërë thirrje që t’i mbajmë sa më mirë e të kujdesemi sa më shumë për këtë kategori të shoqërisë.

“T’i mbajmë sa më mirë e të kujdesemi sa më shumë për to.

E ju miq, i paçi me shëndet e jetë të gjatë ma të dashtunit tuaj, kudo e sado larg që mund t’i keni. Përqafime”, shkruan tenori Lahaj.

Ju kujtojmë që Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” e cila do të mbahet më datë 23 korrik, nis rrugëtimin e pesë netëve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas, festival ky që ka sjell në Kosovë emra të mëdhenj të botës operistike. / KultPlus.com

Të ngjajshme