11 Gusht, 2025 - 5:00 pm
Edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival vjen këtë vit nën temën poetike “The Skin of Light”, një ftesë për të shikuar dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një “lëkurë” ku ndërthuren kujtesa, perceptimi dhe forma.
Nga gjithsej 1,230 aplikime nga mbarë bota, vetëm 62 artistë janë përzgjedhur për të prezantuar vizionin e tyre mbi marrëdhënien me dritën, duke e paraqitur atë si një element që pulson mes botës reale dhe asaj virtuale, mes ndjeshmërisë intime dhe ndërveprimit artistik, transmeton KultPlus.
Festivali nis në Korçë, më 27-29 gusht, në Muzeun Gjon Mili, vendi ku filloi kjo nismë ndërkombëtare, ku për tre ditë video arti do të bashkëjetojë me kujtesën dhe historinë, në një lojë të pandërprerë formash dhe refleksesh. Më pas, nga 1 deri më 3 shtator, destinacioni i dytë është Dhërmiu, ku drita do të dialogojë me shtëpitë e vjetra dhe hapësirat e qiellit të hapur.
Udhëtimi përmbyllet në zemër të Nju Jorkut, në Manhattan, nga 28 shtatori deri më 4 tetor, aty ku Gjon Mili arriti majat e famës së tij.
Programi përfshin net kushtuar artistëve fitues dhe ditë të tëra shfaqjesh ku drita shfaqet si element i gjallë, i ndjeshëm dhe gjithmonë në transformim.
Ky edicion synon jo vetëm të nderojë trashëgiminë e mjeshtrit të fotografisë dhe dritës, por edhe të ndërtojë ura mes kulturave, vendeve dhe mënyrave të reja të të parit./KultPlus.com