Themistokli Gërmenji, patrioti që u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak francez

9 Nëntor, 2023 - 1:03 pm

Më 9 nëntor 1917, u ekzekutua atdhetari Themistokli Gërmenji.

Gërmenji lindi në Korçë në janar 1871. Më 1892 mërgoi së bashku me të vëllain, Telemakun, në drejtim të Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.

Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir që bashkëndante si pronë me Telemakun, u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në vitin 1911 Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë, për t’u angazhuar më pas në radhët e një qendre patriotike shqiptare në Korfuz, ku u aktivizua.

Në vitin vendimtar 1912, u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur që vepronte në krahinën e Korçës. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe në vjetët 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar.

Në vitet 1916-1917 luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.

“Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr”, citohet të ketë thënë patrioti Gërmenji para togës së pushkatimit, të urdhëruar prej gjyqit ushtarak francez.Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau në këtë përvjetor foton e Gërmenjit me Nikolla Ivanajn, njoftimi për përurimin e bustit të Gërmenjit në 10-vjetorin e ngritjes së flamurit në Korçë, propozimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe motivacioni për dekorimin e Gërmenjit me titullin “Hero i Popullit”. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme