Thunberg dhe aktivizmi në kopertinën e Vogue

16 Gusht, 2021 - 12:56 pm

Fotografitë: Vogue

Aktivistja e klimës Greta Thunberg është zbuluar si ylli i kopertinës së numrit debutues të Vogue Skandinavia.

“Për këtë numër debutues, jam jashtëzakonisht krenare që shfaq Greta Thunberg në kopertinë”, tha kryeredaktorja e revistës, Martina Bonnier, në letrën e redaktorit.

“Jo vetëm që ajo është një figurë e vetme skandinave dhe forcë ndryshimi, ajo gjithashtu mishëron dashurinë për natyrën, ndjekjen e qëndrueshmërisë dhe paturpësinë e paepur që është në thelbin e vizionit tonë”, shtoi ajo.

Vogue

Thunberg për herë të parë tërhoqi vëmendje globale më 2018, kur ajo braktisi shkollën në moshën 15 vjeçare, për të protestuar jashtë Parlamentit Suedez, duke kërkuar që qeveria të ulë emetimet e saj të karbonit.

Ajo shpejt katalizoi një lëvizje të grevave të të rinjve, dhe tani, në moshën 18 vjeçare, Thunberg është një nga aktivistet më të mëdha të mjedisit në botë.

Ajo është nominuar për çmimin Nobel për Paqe tre vjet me radhë.

Në një profil shoqërues në Vogue Scandinavia, Thunberg vuri në pah rolin e modës së shpejtë, prodhimin masiv të veshjeve të lira përmes shfrytëzimit të punës dhe cilësisë së dobët në përkeqësimin e krizës klimatike.

“Nëse jeni duke blerë modë të shpejtë, atëherë po kontribuoni në atë industri dhe po i inkurajoni ata të zgjerohen dhe të vazhdojnë procesin e tyre të dëmshëm”, tha ajo për Vogue.

Vogue

“Sigurisht që e kuptoj që për disa njerëz moda është një pjesë e madhe e mënyrës sesi ata duan të shprehin veten dhe identitetin e tyre”, shtoi Thunberg.

Në vitin 2018, 2.31 miliardë ton emetime të gazrave serrë erdhën nga industria e modës, duke përbërë 4% të totalit global.

Revista inauguruese e Vogue Scandinavia, e cila fokusohet në një temë qendrore të natyrës, përkon me publikimin e një raporti të ri të IPCC-së mbi ndryshimin e klimës, të cilin Kombet e Bashkuara (OKB) e quajtën një “kod të kuq për njerëzimin”.

Zëri i një gjenerate

Mesazhi i fushatës së parë të Thunberg, “Greva shkollore për klimën”, u shpërnda në të gjithë globin në vitin 2018, duke frymëzuar dhjetëra mijëra të rinj të tjerë që të organizojnë thirrjet e tyre për veprim.

Vitin pasues, ajo shkoi në New York City për të marrë pjesë në Samitin e OKB-së për Veprimin ndaj Klimës. Aty, ajo kritikoi vazhdimisht “lojtarët” e fuqisë globale për nxitjen e vetëkënaqësisë në vend të urgjencës.

Vogue

“Unë dua që ju të veproni si në një krizë. Unë dua që ju të veproni sikur shtëpia jonë po digjet. Sepse është duke u djegur”, tha Thunberg në Forumin Ekonomik Botëror më 2019.

Por, qasja e drejtpërdrejtë e Thunberg për të trajtuar ngrohjen globale nuk është mirëpritur nga të gjithë.

Në intervistën për Vogue, ajo iu drejtua kritikëve të saj, më së shumti ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili në vitin 2019 shkroi në Twitter se Thunberg kishte një problem të menaxhimit të zemërimit.

“Duhet ta shihni nga një perspektivë më e madhe”, tha ajo për Vogue.

“Pse ata po shkruajnë gjëra të tilla? Sepse ata mendojnë se ne jemi shumë të zhurmshëm dhe duan të na bëjnë të heshtim, qoftë duke na trembur, frikësuar apo përhapur dyshime … Pra, kjo është, në një farë mënyre, një shenjë shumë pozitive që ne kemi ndikim”, tha aktivistja.

Ajo gjithashtu reflektoi mbi ndikimin përçarës që kriza klimatike ka pasur në vitet e saj më formuese.

“Gjëja ideale do të ishte thjesht të kthehesh në shkollë dhe të përfundosh arsimin dhe të mos shqetësohesh për klimën”, tha ajo në intervistë.

“Por për sa kohë që ka nevojë për aktivistë, unë do të jem një aktiviste”, përfundoi Thunberg./CNN/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme