Tinka Kurti feston 90-vjetorin e lindjes në shtëpinë e dikurshme të filmit, Margariti: Fat të mësojmë prej teje

18 Dhjetor, 2022 - 4:30 pm

Aktorja e mirënjohur shqiptare, Tinka Kurti festoi mbrëmjen e  djeshme 90-vjetorin e lindjes e rrethuar nga miq dhe ikona të filmit e teatrit në ambientet e Ministrisë së Kulturës.

Në këtë event festiv ishin të pranishëm kolegë, regjisorë, aktorë të shumtë që kanë ndarë së bashku skenën e sheshxhirimin, si Roza Anagnosti, Piro Milkani, Mirush Kabashi, Mevlan Shanaj, Natasha Lako, Eduart Makri, Edmond Topi etj.

Me këtë rast u shfaq një montazh me disa prej roleve të saj, ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, si dhe një ekspozitë me karakteret e saj më të spikatura.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehu kënaqësinë që aktorja e madhe zgjodhi ta festonte këtë ditëlindje me miqtë e saj në Ministrinë e Kulturës, ku dikur ngrihej Kinostudioja dhe janë realizuar shumë filma shqiptarë.

“Fat që të kemi mes tonë e të mësojmë prej teje”, u shpreh Margariti.

Ndërsa disa prej miqve të saj ndanë kujtime nga puna së bashku. Vetë Tinka Kurti u shpreh e lumtur që e kalonte këtë ditëlindje me kolegët e saj dhe ndau lajmin e mirë të xhirimit të një filmi të ri me regji të Edmond Topi.

Që prej rolit të veçantë të Tanës, në filmin e parë shqiptarë në vitin 1958, Tinka Kurti mban mbi supe 73 vite karrierë, dedikim ky i palodhur ndaj artit dhe kinematografisë shqiptare.

Filmi  më i fundi  në të cilin po merr pjesë aktorja e mirënjohur Tinka Kurti titullohet “Vdekja le të presë’ dhe titulli i filmit i përshtatet të gjitha urime të shqiptarëve, që aktorja të ketë mundësi të prodhojë në skenë, ashtu siç po e bën ende me të njëjtën energji si dikur.

Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema ndërsa është vlerësuar me disa çmime e tituj nderi. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme