Tirana nikoqire e tryezës BE-Ballkan Perëndimor mbi planin e rritjes

12 Shkurt, 2024 - 10:14 pm

Në Tiranë, u zhvillua sot tryezë ministrore e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor për fushën e integrimit evropian, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), mbi Planin e Rritjes.

Sipas njoftimit nga Qeveria, në këtë takim, delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Gjithashtu u tha se tema të diskutimit ishin përfitimet nga Plani i Rritjes dhe perspektiva e rrugës së integrimit në BE, forcimi i integrimit ekonomik me Tregun Unik të BE-së, si dhe mbështetja e përshpejtimi i reformave kyçe.

“Ky ishte një takim përgatitor, në pritje të takimit të radhës të liderëve, të planifikuar në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt, në ndjekje të objektivave për intensifikimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Evropian”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në./ RTK/ KultPlus.com

Të ngjajshme