TKOB me një sezon të paharrueshëm mes notash, ngjyrash dhe emocionesh

2 Shtator, 2025 - 9:59 pm

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit bëri të ditur se muaji shtator do të sjellë në tempullin e artit shqiptar emocione magjike.

TKOB do të sjellë për publikun aktivitete nga më të ndryshmet, që variojnë nga opera tek gjallëria e ansamblit, nga tingujt polifonikë tek bashkëpunimet ndërkombëtare, nga galaja e paharrueshme me Ermonela Jahon deri te “La Traviata” e shumëpritur e Verdit.

Në kalendarin e shtatorit, të publikuar online nga ky institucion, premtohet një udhëtim i artit në të gjitha dimensionet e tij.

Aktivitetet nisin më 8 shtator me një koncert në kuadër të Javës Kulturore të Malit të Zi. Nga Holli Koncertor i TKOB-së, artistët do të zhvendosen në Bylis, ku do të performojë Ansambli Popullor së bashku me Bylis Polifonia, më 12 shtator.

Në datën 16, festa do të zhvillohet në Pezë, me koncertin e titulluar “Peza në Festë”. Një ditë më pas, sopranoja e mirënjohur Ermonela Jaho do të performojë në TKOB, në mbrëmjen gala “Kur ndjenjat marrin zë”.

TKOB do të jetë i përfshirë në kalendarin e aktiviteteve në kuadër të Javës Kulturore të Arabisë Saudite dhe Javës Kulturore Kineze. Ndërkohë që aktivitetet kulmojnë në fund të shatorit (26, 27, 28 dhe 29 shtator) me “La Traviata” të Verdit.

Të ngjajshme