18 Qershor, 2025 - 1:39 pm
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) të enjten do të mbajë panelin diskutues: “Trauma nuk ka afat”- një panel reflektues me mesazhe nga të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt.
Ngjarja është paralajmëruar të mbahet më 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Për të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt, koha nuk shëron plagët pa mbështetje, pa njohje dhe pa drejtësi dhe rehabilitim të vazhdueshëm. Shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë me pasoja të thella emocionale, sociale dhe fizike, shpesh në heshtje dhe izolim. Përcaktimi i afateve ligjore për njohjen e statusit të viktimës, injoron natyrën komplekse dhe të zgjatur të traumës. Prandaj, çdo përpjekje për drejtësi dhe rehabilitim duhet të reflektojë këtë realitet: e drejta për të kërkuar njohje dhe mbështetje nuk duhet të kufizohet në aspektin kohor.
“Andaj, ju ftojmë në shënimin e 19 Qershorit – Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ku të mbijetuarit e dhunës seksuale do të adresojnë mesazhet e tyre për këtë ditë, duke vazhduar me një panel diskutimi për këtë temë. Në vitin 2015, Kombet e Bashkuara miratuan 19 Qershorin si ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt. Shënimi i kësaj dite synon të rrisë ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt, për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale në mbarë botën dhe për t’i nderuar të gjithë ata që kanë përkushtuar me guxim apo humbur jetën e tyre në përpjekje për zhdukjen e këtyre krimeve”, thuhet në njoftim.
Data është zgjedhur për të përkujtuar miratimin më 19 Qershor 2008 të rezolutës 1820 (2008) të Këshillit të Sigurimit, ku ka dënuar dhunën seksuale si një taktikë lufte dhe pengesë për ndërtimin e paqes./ KultPlus.com