U mbajt Mbledhja Komemorative për të ndjerën Burbuqe Berisha

29 Tetor, 2021 - 2:02 pm

Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha.

Atë e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në emër të ministrisë mori pjesë në komemoracion dhe para të pranishmëve ndër të tjera tha “Burbuqja ka qenë një prej luftëtarëve të mëdha për të drejtat e përbashkëta dhe vlerave të shoqërisë tonë. Kontribuuese e denjë në zhvillimin e institucioneve tona të kulturës, një prej shtytësve të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit dhe pedagogjisë së profilit teatror”, ndërsa shtoi “Komuniteti artistik kosovar, ka humbur një njeri të shkëlqyer dhe të papërsëritshëm. Ajo do të kujtohet dhe të përmendet përherë”.

Për nder të saj folën edhe bashkëpunëtorët dhe kolegët, regjisoret Zana Hoxha, Arbëresha Grabovci-Nixha, dhe Bardha Kelmendi, të cilat treguan për përvojat, profesionalizmin, energjinë dhe dashurinë e Burbuqe Berishës për krijimtarinë, regjinë dhe filmin. Ilir Tafa nga AAB, kujtoi afërsinë dhe pozitivetin që e karakterizonte regjisoren e ndjerë. Ndërsa, motra e të ndjerës Trëndelina Berisha, falënderoi të gjithë ata që u kujdesën dhe bashkëpunuan me regjisoren.

Burbuqe Berisha, vdiq më 27 tetor 2021, në moshën 51 vjeçare. Ajo kishte një karrierë të bujshme dhe la pas vetes trashëgimi të madhe të krijimtarisë artistike me filma të zhanreve të ndryshëm, dokumentarë të shkurtër e artistik dhe shumë shfaqje teatrale, që u realizuan nën regjinë e saj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme