‘Udha drejt Pavarësisë’, konferencë shkencore në Muzeun Historik

25 Nëntor, 2022 - 9:02 pm

Muzeu Historik Kombëtar, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizoi sot konferencën shkencore “Udha drejt Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar pena e nënshkrimit të aktit të pavarësisë së Shqipërisë, e cila është përdorur nga delegatët në Kuvendin e Vlorës të datës 28 nëntor 1912 për nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Koçi theksoi se, ajo është një objekt i veçantë historik. Ndonëse është një objekt i vogël ajo ka një rëndësi mjaft të madhe për historinë e shqiptarëve. Pena ndodhet pranë Deklaratës së Pavarësisë, si simbol i përfundimit të etapës së rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapjes së një etape të re në historinë e shqiptarëve, siç është ajo e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit kombëtar shqiptar.

“Në Muzeun e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë janë ekspozuar rreth 30-40 objekte origjinale, ndër të cilat mund të përmendim karrigen ku është ulur Ismail Qemali, kallamari me shqiponjën e bronztë që ka përdorur për të ngjyer penën. Po ashtu, në muze është ekspozuar fermani, sipas të cilit sulltani emëronte Ismail Qemalin në poste të larta, fotografi të Ismail Qemalit, kutia e duhanit e Isa Boletinit etj.”, tha ai.

Në konferencë u mbajtën këto kumtesa:

– Prof. dr. Ksenofon Krisafi, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

“Shqipëria – krijesë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha apo produkt i Rilindjes Kombëtare Shqiptare?”

– Prof. dr. Paskal Milo, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

“Qëndrimi i SHBA-së ndaj pavarësisë së Shqipërisë”

– Prof. dr. Ylber Sela, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës Shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut

“Firmëtarët nga Struga”

– Prof. dr. Shyqyri Hysi, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër

“Prefektura e Gjirokastrës dhe Pavarësia. Firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë”

– Prof. ass. dr. Ledia Dushku, Akademia e Studimeve Albanologjike

“Shqipëria u bë, por duhen bërë edhe shqiptarët. Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe procesi i deosmanizimit”

– Dr. Elteva Domi, Bilioteka Kombëtare e Shqipërisë

“Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës”

– Akademik Beqir Meta, Akademia e Studimeve Albanologjike

“Rrugëtimi i shtetformimit shqiptar (1920-1939)”

– Akademik Vasil Tole, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

“Ismail Qemali bekuesi i simboleve tona kombëtare: Himni Kombëtar dhe flamuri”

– Akademik Maringlen Verli, Akademia e Shkencave e Shqipërisë

“Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë (1913-1999)”

– Dr. Dorian Koçi, Muzeu Historik Kombëtar

“Pasqyrimi i shpalljes së pavarësisë në muzetë shqiptare”

– Prof. ass. dr. Esmeralda Kolaneci, Universiteti i Tiranës

“Statusi politik dhe kufijtë e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës”

Në përfundim të konferencës shkencore drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se lektorët pjesëmarrës në këtë konferencë janë figurat më të rëndësishme të kësaj fushe studimore dhe me anë të kumtesave të tyre padyshim që kanë sjellë prurje dhe fakte të reja./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme