Ujëvarat e Mirushës mbesin pa ujë, Komuna: Tharja si mungesë e reshjeve

5 Gusht, 2020 - 12:55 pm

Ujëvarat e Mirushës që ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike e Kosovës. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”, shkruan KultPlus.

Por ka disa javë që Ujëvarat e Mirushës kanë mbetur pa ujë. Për tharjen e Ujëvarave të Mirushës ka reaguar edhe Seremb Gjergji i cili ka thënë se shkaktar për këtë tharje është Pënda/Diga në Malishevë të cilët e kanë ndaluar ujin.

“7 Ujëvarat e Mirushës 3 javë pa ujë. Ujin e ka ndalur Penda/Diga në Malishevë. Zologjika ka ngordhur. Para dy ditëve edhe peshqit. Botanika është dëmtuar. Policia nxjerrë njerëzit nga uji i ndotur. @Avdullah @VjosaOsmaniMP @HashimThaciRKS Ku janë institucionet? Veproni??!!”, shkruan Gjergji.

KultPlus ka kontaktuar Komunën e Malishevës dhe sipas Artan Paçarizit, zyrtar për informim në Komunën e Malishevës, aty nuk ka fare Hidrocentral dhe se akuza e Seremb Gjergjit nuk qëndron fare. Sipas tij tharja ka ndodhur si mungesë e reshjeve të shiut.

“Aty nuk ka fare Hidrocentrale. Lumi herë pas here shterohet te pjesa e ujëvarës sepse ka thatësi. Tharja e tyre është si pasojë e mungesës së reshjeve. Sot ka ra shi edhe sigurisht do të ecin ujëvarat”, ka thënë Artan Paqarizi për KultPlus. / KultPlus.com

Të ngjajshme