Wanderlust: Eksploroni kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë

9 Gusht, 2019 - 1:30 pm

Kryeqyteti i Shqipërisë është një perlë e Ballkanit, e pazbuluar nga shumica e njerëzve. Duke u nisur nga Piramida e Tiranës, sheshi “Skënderbej”, deri te xhamitë e zbukuruara dhe muzetë të ndërtuar brenda bunkerëve atomikë, ka ende shumë për të zbuluar, shkruan Sam Baker i faqes së njohur turistike britanike wanderlust.co.uk.

Nëse ndaloni në Ballkan për një aventurë në natyrë, mos e përjashtoni mundësinë për të vizituar kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë me kuriozitete si bunkerë dhe piramida që mund t’i eksploroni.

Ja gjërat më të mira për të bërë në Tiranë

Ngjituni me teleferik në Dajt

Bukuria natyrore e Tiranës shtrihet në malet që rrethojnë qytetin. Përfitoni nga një ditë me qiell të pastër për t’u ngjitur në malin e Dajtit.
Një udhëtim 20 apo 30-minutash me autobus nga qendra e qytetit dhe  gjatë ngjitjes do të ngeleni pa frymë nga pamjet e tij të jashtëzakonshme dhe lartësitë marramendëse.
Ia vlen të kryesh një udhëtim që të ofron të shohësh pamjen e qytetit nga mali. Pas zbritjes nga Dajti Ekspres, ju mund të zgjidhni aventurën tuaj – mbase një lojë mini golfi, ose të vendosni të bëni një udhëtim qetësues më këmbë.

Bëni një fotografi me Piramidën e Tiranës dhe bunkerët e qytetit

Në shikim të parë, Tirana u ngjan qyteteve të tjera ish-sovjetike me ndërtesa të vjetruara që kufizojnë ndërtimet e reja dhe një mozaik gjigant, të stilit të realizmit socialist, të vendosur në qendër, në sheshin “Skënderbej”.

Duke ecur, ju mund të vëreni shtresa betoni. Këto janë bunkerë nga ditët e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili i ndërtoi ato në një moment paranojë si një shprehje e politikës së izoluar pas shkëputjes së kombit nga Bashkimi Sovjetik.
Po aq i çuditshëm dhe me një stil të rreptë të arkitekturës
Piramida e Tiranës shërbeu për një kohë të shkurtër si Muzeu i Enver Hoxhës, pas vdekjes së tij. Duke marrë shumë qëllime që nga ajo kohë, piramida e tanishme e mbuluar me mbishkrime tërheq më shumë vëmendje pikërisht për shkak se tani nënkuptonte një armiqësi ndaj Hoxhës.

Shëtitje rreth liqenit në Parkun e Madh

Për ajër të pastër, shkoni në Parkun e Madh të liqenit në pjesën jugore të qytetit. E ndërtuar për të ofruar më shumë gjelbërim në këtë qytet urban, Parku  i Madh është zonë e njohur për vendasit dhe vizitorët.

Në park gjendet një liqen artificial, i rrethuar nga kodra piktoreske. Shëtisni rrugët rreth liqenit, shikoni njerëzit që qëndrojnë në stola ose pini diçka në një kafene buzë liqenit.

Njihuni me historinë komuniste të Shqipërisë

Për të kuptuar historinë e të kaluarës komuniste të këtij kombi ballkanik dhe sesi i ka formuar shqiptarët, vizitoni një nga muzetë e Bunk’Art. Nëse jeni një adhurues i historisë, duhet t’i vizitoni të dy. Bunk’Art iu njeh me një pasqyrë më të gjerë të jetës së përditshme gjatë epokës komuniste. Ky muze ndodhet në bunkerin atomik të ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, në periferi të Tiranës.

Bunk’Art 2 është lehtësisht i arritshëm në qendër të qytetit. Një eksperiencë e frikshme nëntokësore, ky bunker përqendrohet në historinë e policisë politike dhe viktimat e tyre nën regjimin komunist.

Shijojeni si një vendali kulturën e kafesë në Tiranë

Kultura e kafesë është një pjesë thelbësore e jetës në Tiranë dhe mëngjesi nuk bën përjashtim. Por, kini kujdes: shumë kafene nuk shesin asgjë për të ngrënë.

Para se të uleni në një bar, ndaloni në një furrë lokale dhe merrni një byrek, një trekëndësh prej petësh, i mbushur me djathë të freskët ose me spinaq.

Pasi të blini byrekun dhe të gjeni një kafene me verandë, mos ngurroni të porositni lëng frutash të freskëta, përveç pijes tuaj të preferuar të ekspresit. Lëngjet shpesh janë të bëra në shtëpi.

Prandaj uluni dhe shijoni rrjedhën e këndshme të udhëtarëve të mëngjesit.

Vizitoni xhaminë dhe selinë bektashiane

Prirja shqiptare ndaj tolerancës fetare është një parim i identitetit të saj kombëtar. Filloni një bisedë me një shqiptar dhe është e zakonshme të dëgjoni se babai është mysliman dhe nëna ortodokse katolike.

Sekti bektashi i Islamit është i vendosur në Tiranë. Një vizitë në xhaminë e tyre të bukur është një domosdoshmëri. Muzeu poshtë xhamisë përshkruan në detaje historinë e bektashinjve dhe besimin e tyre tolerant islamik.

Xhami më të zbukuruar ju nuk mund të gjeni në të gjithë botën.

Zbuloni traditat shqiptare (dhe alkoolin)

Në gjysmën e rrugës midis një dyqani antik dhe një bari të modës, bar-muzeu “Komiteti” ekspozon objekte kulturore të tilla si rrobat shqiptare, pajisjet bujqësore të fermës, që varen nga muret dhe tavani.

Ky është edhe vendi më i mirë për të provuar pijen alkoolike kombëtare shqiptare, e njohur si raki. Ajo shërbehet atje në një larmi shijesh.

Nga sherbela deri tek boronica, këto aroma e bëjnë shijen e rakisë të tolerueshme dhe, në disa raste, madje, edhe mjaft të shijshme.

Kënaqësia e tetë pjatave të preferuara të Shqipërisë

Darka në restorant “Mullixhiu” nuk mund të anashkalohet në Tiranë. E vendosur në afërsi të Parkut të Madh dhe liqenit artificial, ky restorant tradicional ofron një vakt me gjashtë ose tetë gjërash të ndryshme për 13-15 euro.

Një përvojë e këndshme, me varietete nga djathërat vendas dhe supa e pasur me kunguj deri te mish i kecit dhe buka e shtëpisë dhe makaronat.

Të paraqitura artistikisht, tek pjatat e “Mullixhiut” ndërthuren përbërësit tradicionalë shqiptarë me elegancën moderne. Në dyqane ju gjithashtu mund të blini disa dhurata të këndshme për t’i marrë me vete në shtëpi. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme