“Ulpiana”, gazeta e viteve ’60 që shkruante për urbanizimin e Prishtinës

1 Nëntor, 2023 - 4:30 pm

Në Kosovë, dikur kishte një gazetë me emrin “Ulipiana”, numri i parë i së cilës u jepej pa pagesë banorëve të kësaj lagjeje të Prishtinës.

“Oral History Kosovo” shkruan në Facebook se më 1 maj 1968 botohej numri i parë i kësaj gazete që mbulonte çështjet e ekonomisë banesore komunale.

“Numri i pare i gazetës “Ulpiana” doli me 1 maj 1968, revista u jepej pa pagesë banorëve. Si gazetë periodike mbulonte çështjet që kishin të bënin me ekonominë banesore komunale, dhe në vazhdimësi raportonte mbi avancimin e politikave banesore dhe ndërtimore në Prishtinë”, thuhet në postim. “Këto politika bazoheshin në parime humaniste të solidaritetit dhe reciprocitetit. Zgjidhja e çështjes së banimin për të gjithë përkonte edhe me synimet e urbanizimit të qytetit të Prishtinës mes viteve 1971-1985”.

Në intervistën e tij të historisë gojore, arkitekti Salih Spahiu përshkruan:
“Siç e dini Dardania është projektu në Zagreb nga autortë zagrebas. Unë kam pasë rast të takohem me autorët e lagjës Dardanisë, është projektu në vitet e ‘70-ta. Mirëpo, në aspektin urbanistik une besoj që është ni lagje e suksesshme edhe kur e kqyrim në distancën kohore edhe Ulpiana, edhe Dardania, edhe Kodra e Diellit është projektu në Zagreb, urbanistikisht. Pastaj objektet i kanë projektu kryesisht janë projektu jashtë Kosovës, kryesisht janë projektu në Beograd dhe Zagreb, kryesisht, pjesa ma e madhe e objekteve.”

“Oral History Kosovo” ka publikuar edhe fotografi nga gazeta “Ulpiana” të vitit 1982. / KultPlus.com

Të ngjajshme