UP pas 52 vjetësh me rregullore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale, kërkohen ndryshime

31 Maj, 2021 - 2:40 pm

Era Berisha

Me rastin e reagimit të shoqërisë civile lidhur me miratimin e ‘Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës’ nga Universiteti i Prishtinës, sot u shpalos deklarata publike e pjesëtarëve nga shoqëria civile dhe universitetit të përfshirë në procesin e draftimit të rregullores para Rektoratit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me 11 maj ka miratuar Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës e cila zbatohet për të gjithë personelin akademik, jo akademik dhe administrativ. Prandaj, Universiteti i Prishtinës ka aprovuar rregullore për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi seksual pas dy dekadave kërkesave nga studentët, njësitë akademike dhe shoqëria civile.

Po ashtu është bërë e ditur se rregullorja e përkufizon ngacmimin seksual si ”çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale apo fizike të natyrës seksuale dhe/apo psikologjike, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes”.

Ngacmimi seksual është konsideruar formë e diskriminimit në bazë të gjinisë për shkak se i prek di proporcionalisht gratë dhe/apo i shënjestron ato për shkak se janë gra. Në 52 vite që nga themelimi i UP-së, nuk ka pasur asnjë udhëzues apo rregullore që e adreson problemin e ngacmimit seksual që nxit të gjithë studentët të raportojnë çfarëdo sjellje ngacmuese e diskriminuese në organet kompetente në UP dhe jashtë saj.

Rregullorja për mbrojtjen nga ngacmimi seksual është konsideruar hap i rëndësishëm historik për Universitetin e Prishtinës dhe respektimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtën e trajtimit të barabartë.

Në këtë ngjarje u shpalosën aspektet pozitive të kësaj rregullore për mbrojtje nga ngacmimi seksual si:

1. Rregullorja e parasheh një pozitë pune të Zyrtarit/es për mbrojtje nga ngacmimi, i/e cila do të jetë përgjegjës/e, mes tjerash, për pranimin e denoncimeve për ngacmim dhe ngacmim seksual, për këshillim dhe informim të palëve lidhur me procedurat e paraqitjes së denoncimit dhe zhvillimin e procedurave disiplinore.

2. Zyrtari/ja mbrojtje nga ngacmimi do të raportojë një herë në vit para Senatit të Universitetit të Prishtinës për numrin e rasteve të paraqitura për këshillim, numrin e rasteve të hetuara, rasteve të përmbyllura dhe masave të shqiptuara ndaj personave përgjegjës për ngacmim dhe ngacmim seksual.

3. Procedura disiplinore për ngacmim seksual zhvillohet brenda universitetit pavarësisht nga procedura penale – pra edhe nëse ka paraqitur personi kallëzim penal në polici për rastin e njëjtë mund të zhvillohet procedura administrative brenda Universitetit.

4. Personat që nuk janë të sigurtë se a dëshirojnë të iniciojnë procedurë disiplinore mund ta denoncojnë ngacmimin seksual me raportim jo-formal, të cilin më vonë mund ta kthejnë në denoncim formal.

5. Në rastet ku pretendimet për ngacmim seksual konstatohen si të pasakta, denoncuesi/ja nuk mund të mbahet përgjegjës për deklarim të rrejshëm nëse denoncimin dhe informatat i ka paraqitur me mirëbesim.

Ndërsa, Qendra për Art dhe Komunitet ‘Artpolis’, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ‘ORCA’, Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore UP, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ‘QKSGJ’, Rrjeti i Grave të Kosovës ‘RrGK’, Dr.Adriana Qosaj-Mustafa si dhe Rina Kika, gjithashtu kanë bërë të ditur edhe disa nga çështjet që do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshimin e tyre në Rregullore si:

1. Afati për paraqitjen e raportimit të ngacmimit seksual, duke kërkuar që ky afat të jetë 5 vite, siç parashihet edhe me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, ndërkaq në UP ka marrë vendim jo transparent që ky afat të jetë vetëm 1 vit. Pra, subjektet raportuese mund ta raportojnë rastin e ngacmimit seksual deri në 1 vit pasi të ketë ndodhë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë këtë afat shumë të shkurtër duke rikujtuar se viktimat pavarësisht nga afati 1 vjeçar i UP-së, mund të paraqesin ngacmimin seksual në polici si vepër penale ose të paraqesin padi për diskriminimin në gjykatë.

2. Ne kemi kërkuar që trajnimi për ta kuptuar ngacmimin seksual dhe mbrojtjen nga ai, duhet të jetë obligativ dhe për personelin akademik edhe për studentët, ndërkaq kjo është ndryshuar në fund duke ia lënë UP-së diskrecionin që sipas nevojës të përgatitë udhëzues për këto çështje.

3. Barra e provës është përcaktuar se bie në të dy palët procedurale, megjithëse kërkesa jonë ka qenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, barra e provës të bie mbi subjektin e dyshuar.

4. Rregullorja përcakton se Denoncuesi/ja detyrohet të nënshkrua deklaratë për përgjegjësi morale, etike, disiplinore dhe penale që i bart lidhur me denoncimin. Edhe pse kjo mund të jetë menduar sa për ta rikujtuar denoncuesin/en për përgjegjësinë e raportimit, konsiderojmë se është formalizëm i tepruar që mund të ketë efekt frenues te viktimat e ngacmimit seksual në paraqitjen e rasteve të reja.

5. Zyrtari/ja në bazë të Rregullores ka afat 24 ditë pune për ta njoftuar Këshillin e Etikës për raportimin e denoncimit. Ky afat gjatë procesit të konsultimit dhe draftimit të rregullores ka qenë 24 orë. Afati 24 ditë pune është krejt i paprecedent në rregullore, ligje, akte administrative etj. Ky gabim është shembull i  pasojave të mos-transparencës në vendimmarrje, siç ndodhi në fazën e fundit të miratimit të rregullores ku ne nuk u konsultuam e as nuk u njoftuam me draftin përfundimtar.

Këto vërejtje dhe kritika janë parashtruar për arsye se Rregullorja duhet të jetë një kornizë që ofron mbrojtje nga ngacmimi seksual dhe inkurajim për të gjithë personat e prekur nga ky fenomen negativ dhe prandaj duhet të raportohet në Universitetin e Prishtinës.

Kështu krejt në fund, u bë thirrje ndaj Universiteti të Prishtinës që zyrtari/ja për ngacmim seksual të emërohet në një proces transparent të monitoruar nga afër prej organizatave të shoqërisë civile, me ç’rast u ofrua asistencë, ndarje të praktikave më të mira për zyrtarin ose zyrtaren e përzgjedhur për ngritjen e kapaciteteve në trajnimin e raportimeve të ngacmimit seksual, ndihma e tyre ndaj studentëve duke i informuar dhe vetëdijesuar ata mbi ngacmimin seksual. / KultPlus.com

Të ngjajshme