6 Maj, 2025 - 9:55 am
Në mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare, Kaqusha Jashari, një aktiviste në jetën politike në Kosovë e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kështu kanë bërë të ditur familjarët e saj në rrjete sociale.
“Zemra e Mames tonë të dashur Kaqusha Jashari, pushoi së rrahuri sot në mëngjes! Sa jemi krenare që e patem, nuk përshkruhet me fjalë!”, ka shkruar vajza e saj, Teuta Jashari.
Kaqusha ka qenë kryetare e Lidhjes Komuniste të Kosovës në vitet e 80-ta dhe themeluesja e PSD-së.
E lindur në Skënderaj në vitin 1946, Kaqusha Jashari ndoqi studimet në Fakultetin Teknik të Beogradit, ku u diplomua në drejtimin e ndërtimtarisë. Nga viti 1971 deri në 1975, ajo shërbeu si drejtoreshë teknike në ndërmarrjen ndërtimore “Ndërtimi” në Ferizaj. Përveç kësaj, ajo mbajti për shumë vite pozitën e drejtoreshës së Fondit të Rrugëve të Kosovës, fillimisht gjatë viteve 1989–1990 dhe më pas sërish pas luftës, nga viti 2000 deri në 2007.
Gjatë periudhës 1975–1988, Kaqusha Jashari ishte një nga figurat kyçe në institucionet e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në nëntor të vitit 1988, gjatë protestave kundër përpjekjeve të Serbisë për të ndryshuar Kushtetutën e vitit 1974, emri i saj u brohorit fuqishëm nga qytetarët si simbol i rezistencës.
Deri në maj të vitit 1989, ajo shërbeu si kryetare e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, një funksion i barasvlershëm me atë të kryeministres. Në vitet ’90, ajo vazhdoi angazhimin politik në Partinë Socialdemokrate të Kosovës, të cilën e udhëhoqi si kryetare nga viti 1998 deri në 2008./KultPlus.com