4 Korrik, 2025 - 10:40 am
Michael Madsen, aktori yll i filmit ”Reservoir Dogs” apo i ”Die Another Day”, vdiq sot në moshën 67-vjeçare, sipas hollywoodreporter.com.
Michael Madsen, aktori i njohur për punën e tij në filmat e Quentin Tarantino-s si ”Reservoir Dogs”, ”Kill Bill: Vol. 1 & 2”, ”The Hateful Eight” dhe ”Once Upon a Time in Hollywood”, u gjet i pajetë nga ndihmësit, në shtëpinë e tij në Malibu.
Liz Rodriguez, përfaqësuesja e tij në ”EMR Media Entertainment”, tha se ”Michael pati një arrest kardiak”.
Sipas biografisë zyrtare ”Madsen balancoi intensitetin me vetanalizën, qoftë duke bërë dialogë drithërues apo duke kapur në heshtje një moment pas kamerës, përkushtimi i tij ndaj rrëfimit të historive mbeti konstant. Ai solli si mprehtësi, ashtu edhe shpirt në çdo rol dhe ndikimi i tij i qëndrueshëm në kinemanë amerikane është i pamohueshëm”.
Punimet e tij në ekranin e madh përfshinin ”WarGames” (1983), ”The Natural” (1984), ”The Doors” (1991), ”Thelma & Louise” (1991), ”Free Willy” (1993), ”Species” (1995), ”Donnie Brasco” (1997), ”Die Another Day” (2002), ”Sin City” (2005) dhe ”Scary Movie 4” (2006).
”Fama është një shpatë me dy tehe”, tha ai në një intervistë, në vitin 2018.
”’Ka shumë bekime, por edhe shumë gjëra të rënda që vijnë me të. Mendoj se ka shumë të bëjë me personazhet që kam luajtur. Mendoj se kam qenë më i besueshëm sesa duhet të kisha qenë. Mendoj se njerëzit më kanë frikë vërtet. Më shohin dhe thonë o zot, ja ku është ai djali!”, shtoi ai.
”Por, unë nuk jam ai djali. Jam thjesht një aktor. Jam baba, kam shtatë fëmijë. Jam i martuar, kam qenë i martuar prej 20 vitesh. Kur nuk bëj film, jam në shtëpi, me pizhame, duke parë ‘The Rifleman’ në TV. Sigurisht që kam pasur ditët e mia plot zhurmë, por herët a vonë duhet ta kalosh këtë dhe të ecësh përpara”, thekson ai.
Madsen u lind në Çikago, më 25 shtator 1957.
Babai i tij, Calvin, ishte zjarrfikës në Departamentin e Zjarrfikësve të Çikagos, dhe nëna e tij, Elaine, ishte autore që fitoi gjithashtu një çmim Emmy në vitin 1983 për prodhimin e dokumentarit “Better Than It Has to Be”, rreth historisë së krijimit të filmave.
Familja e tij u divorcua në vitet 1960.
Ai e filloi karrierën e tij në ”Steppenwolf Theatre Company” në Çikago, ku mësoi nga John Malkovich dhe u shfaq në “Of Mice and Men”.
Në vitin 1982, ai u shfaq në dy episode të “St. Elsewhere” të NBC-së, më pas luajti një polic në “WarGames”, me regji nga John Badham.
Në filmin debutues regjisorial të Tarantinos, “Reservoir Dogs” (1992), Madsen portretizoi rolin ultramizor të Blonde.
”Nuk e kisha takuar kurrë më parë Quentin”, i tha ai ”The Independent”, në një intervistë të vitit 2016./atsh/ KultPlus.com