Vendos KPM: ‘Big brother’ mund të shikohet vetëm me kod, ose pas orës 24:00

10 Janar, 2024 - 6:30 pm

Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) ka sqaruar opinion publik, se për t’ mbrojtur fëmijët dhe të miturit nga programet të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, ka kufizuar nga platformat televizive shfaqjet reale televizive” realityshow” ose “reality tv. Këto shfaqje mund të transmetohen të koduara, ose pas orës 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit, thuhet në sqarimin e KPM-së.

Sipas njoftimit për media, KPM me datën 21 dhjetor 2023 ka miratuar Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale.

“Kjo Rregullore ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga për mbajtje të programeve të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, mbrojtjen e fëmijëve gjatë përfshirjes së tyre në përmbajtje mediale, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm, si dhe mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe kohën e transmetimit të programeve që ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik, mendor, emocional dhe moral të fëmijëve dhe të miturve”, thuhet në njoftim.

Rregullorja KPM-2023/01, thuhet se për herë të parë në mënyrë specifike trajton dhe rregullon programet e tipit “shfaqje reale televizive”(“realityshow” ose “reality tv).

“Sipas nenit 2, paragrafi 5,të kësaj Rregulloreje“Programet e formatit “shfaqje reale televizive” (“realityshow” ose “reality tv), përfshin një zhanër ose format televiziv zakonisht pa një skenar të detajuar, me përmbajtje të realizuara kryesisht në një mjedis natyror ose të krijuar artificialisht në të cilin shfaqet jeta e një grupi pjesëmarrësish në një hapësirë të izoluar, të cilët janë vazhdimisht nën vëzhgimin e video kamerave në një zonë të mbuluar me mikrofona, të cilët në rastin më të shpeshtë janë në konkurrim me njëri-tjetrin në përpjekje për të fituar një çmim ose përfitime të caktuara pasurore ose jo pasurore”, thuhet në njoftim.

Sipas KPM-së, Rregullorja KPM-2023/01 nuk ka për qellim ndalimin e programeve Reality Tv,mirëpo ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e këtyre programeve dhe si masë parandaluese, në mënyrë që fëmijët “mos të kenë qasje në këto programe, ka përcaktuar që transmetuesit t’i kodojnë këto programe ose të njëjtat të shfaqen nga ora 24:00”.

“Në nenin 7, paragrafin 6, të Rregullores KPM-2023/01 është përcaktuar që “Programet e formatit shfaqje reale televizive (realityshow ose reality TV), njoftimet e transmetimit të tyre, si dhe programet që tregojnë pasqyra të ngjarjeve në ato përmbajtje, shënohen me 18+ dhe mund të transmetohen vetëm në periudhën nga ora 24:00 deri në 06:00. Ky kufizim nuk zbatohet për përmbajtjen e shfaqur me mbrojtje teknike (kodim me pin)”, thuhet më tej në njoftimin e KPM-së.

Të gjithë të licencuarit, sipas këtij institucion,  të cilët transmetojnë programet e formatit “shfaqje reale televizive” (realityshow ose reality TV), janë të obliguar të zbatojnë paragrafin 6, të nenit 7të Rregullores KPM-2023/01 për të gjitha format e shfaqjes se këtyre programeve, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë, primet dhe përmbledhjet ditore.

Rregullat e përcaktuara në nenin 7, paragrafi 6 të Rregullores KPM-2023/01, sipas KPM-së, vlejnë edhe për kanalet e huaja të cilat shpërndahen përmes operatorëve të shpërndarjes, bazuar në paragrafin 7 të këtij neni.

“KPM me qëllim të vlerësimet të pajtueshmërisë me Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale, do të bëjë monitorimin e të gjithë të licencuarve dhe në rast të mosrespektimit të kësaj Rregulloreje do të aplikoj sanksionet e përcaktuara me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave”, thuhet në njoftimin KPM-së lëshuar të mërkurën.

KPM kërkon po ashtu nga të gjithë të licencuarit që të respektojnë Rregulloren KPM-2023/01 dhe se obligohen të gjithë Ofruesit e Shërbimeve Mediale Auidovizuale dhe Operatoret e Shpërndarjes “t’i ndërmarrin masat teknike gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore me pritshmëri për të dëmtuar zhvillimin fizik, mendor ose moral të fëmijëve”./KultPlus.com

Të ngjajshme