“Vera e kulturës tetovare” nis edicionin e shtatë

7 Korrik, 2019 - 7:55 pm

Ka filluar edicioni i shtatë i manifestimit “Vera e kulturës tetovare”. Ky festival do të zgjasë deri më 2 gusht dhe është nën organizim të Komunës së Tetovës.

Ngjarja e parë i është dedikuar shënimit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku para platesë së këndit amerikan në Tetovë është festuar e marshuar në orën gjashtë të mbrëmjes.

Gjatë manifestimit në ambient të hapur në sheshin e qytetit do të organizohen “kik-boks”-a dhe ndeshje të boksit profesional, ndërkaq do të ndiqen ndeshjet e KF Shkëndijës në eurokupat.

Nga ngjarjet e kulturës është paraparë promovimi i librit “Etnomuzikologjia”, nga Fric Bose, i përkthyer në gjuhën shqipe, projeksione filmike në ambient të hapur, koncerte muzikore, ditë të filmit francez, si dhe ngjarje skenike muzikore. Po ashtu konsiderohet se vend të veçantë do të zënë edhe interpretimet e artistëve dhe muzikantëve të “Rrugës me ombrella” dhe aktivitete të ndryshme, që janë paraparë të zhvillohen përgjatë gjithë këtij muaj, shkruan gazeta “Zëri”.Në ditën e fundit, më 2 gusht, është paraparë që në shesh të mbahet koncert me këngë për fëmijë, i cili është titulluar “Edukojmë me art”, me mysafirë nga Tirana. Koncerti do të fillojë prej orës 19:00, ndërsa prej orës 21:00 me mbrëmje të muzikës popullore – rituali i dasmës shqiptare, do të shënohet edhe përmbyllja e aktiviteteve të larmishme të festivalit./Zëri/KultPlus.com

Të ngjajshme