15 Korrik, 2025 - 12:12 pm
Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Vesa Ibrahimi, ka shënuar një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e ushtrisë së Kosovës, duke përfunduar me sukses Shkollën Ranger të Ushtrisë së SHBA-së (U.S. Army Ranger School) – një ndër trajnimet më të vështira dhe elitare në botë.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë e cilësoi këtë arritje si një moment krenarie, duke ndarë një fotografi të Nëntogeres Ibrahimi dhe duke theksuar rëndësinë e suksesit të saj.
“Që nga drejtimi i operacioneve komplekse nën stres ekstrem, e deri te orientimi në terrene të ashpra me mbështetje minimale, arritja e Togeres Ibrahimi pasqyron vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe udhëheqjen e jashtëzakonshme që garanton sigurinë e vendeve tona”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Me këtë sukses, Vesa Ibrahimi bëhet gruaja e tretë nga FSK-ja që përfundon këtë trajnim sfidues, duke përforcuar rolin e grave në forcat e armatosura dhe duke e vendosur Kosovën në hartën e vendeve që prodhojnë liderë ushtarakë të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Shkolla Ranger është e njohur për intensitetin ekstrem fizik dhe mendor që kërkon, dhe vetëm një përqindje e vogël e pjesëmarrësve arrijnë ta përfundojnë me sukses. Prandaj, diplomimi i Ibrahimit përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme personale dhe një fitore të rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën./ KultPlus.com