Violeta Lumani, çiklistja e parë memaliote që theu mentalitetin tepelenas dhe më gjerë

3 Gusht, 2021 - 2:22 pm

Memaliaj, edhe pse një qytet, ku në themelet e saj ka kontributin e njerëzve me kulturë, të ardhur nga treva të ndryshme të vendit; ku shumë prej tyre kanë punuar dhe jetuar për shumë vite, edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit, kishte edhe një pjesë të banorëve që jetonin me një mentalitet të prapambetur! Këta të fundit, mbanin gjallë verbërisht, jo vetëm regjimin, por krijonin situata të rrezikshme edhe për jetën e asaj pjese të komunitetit që ishin të civilizuar.

Një prej tyre ishte edhe memaliotja Violeta Lumani dhe familja e saj, vetëm se ajo dilte me biçikletë në qytet. Ajo është vajza e Xheko dhe Sabri Lumanit, të ardhur nga rrethi i Përmetit, qysh në fillimet e ndërtimit të qytetit të Memaliajt.

Ajo është fëmija i katërt nga motrat dhe e pesta nga fëmijët. Motra e madhe quhet Thëllëza, Zerdeli, Elena, Rrapo, Violeta dhe Vasilika. Në vitin 1970-të, familja Lumani, bleu një biçikletë 28-she, të prodhimit kinez. Në kohën që Leta filloi të mësonte biçikletën, ishte 14-15 vjeçe.

Violeta ose Leta, siç e përkëdhelnin të familjes, të afërmit dhe shokët e shoqet e saj, u lind dhe u rrit në një familje me tradita dhe kulturë bashkëkohore. Babai i saj, Sabriu kishte parë perëndimin shumë herët, pasi kishte qenë emigrant në Francë dhe prej andej, kishte luftuar edhe në luftën e Spanjës (1936-39), krahë luftëtarëve të tjerë shqiptarë, që bënin pjesë në “vullnetarët e lirisë” nga 53 vende të ndryshme të botës, përkrahë atyre spanjollë, duke iu bashkuar thirrjes së këtyre të fundit: “Popuj të botës na ndihmoni, fashizmi po na mbyt në gjak!” Nuk duhet harruar, se veterani internacional, Sabri Lumani, ka ndihmuar edhe LANÇ. Asnjë nga këto kontribute nuk u mor parasysh, por e sulmuan sikur të kishte qenë një armik i fshehur i sistemit të asaj kohe.

Memaliaj: Violeta Lumani, me biçikletën e saj.

Kjo vërejt kur disa bashkëqytetarë filluan ta sulmonin, pasi vajza e tij, Violeta, dilte me biçikletë nëpër qytet dhe këtë gjest ata e quanin një sjellje të huaj dhe borgjeze. Veterani Sabri Lumani ua kishte blerë biçikletën, djalit të tij të vetëm, Rrapos, me rastin e ditëlindjes, kur ai mbushi 16 vjeç. Rrapua dhe Leta, shkonin shumë si vëlla e motës, pasi ishin afër në moshë. Leta, duke qenë e shkathët nga natyra, u bë kureshtare dhe i shprehu dëshirën të vëllait, për t’i mësuar biçikletën dhe nuk iu nda derisa e mësoi. Pasi e mësoi, filloi të dilte lirshëm nëpër qytet, ashtu siç dilnin vajzat dhe gratë shqiptare edhe nëpër qytete të tjera të vendit.

Në shumë raste, Rrapua i kërkonte biçikletën bashkëqytetarit të tij, Pëllumb Nana, pasi të tijën e merrte e motra, Leta dhe të dy së bashku, shkonin në Këlcyrë, Përmet dhe ktheheshin përsëri në Memaliaj.

Për më shumë detaje, pyeta motrën e saj, Elena Lumani, e cila na sjell shumë detaje të vyera, për të bërë më të plotë shkrimin në fjalë. Ajo shprehet: “Në ato vite, t’mos ndihemi keq, pasi injoranca ishte në shkallën superiore. Nënat nuk i linin vajzat e tyre që të shoqëroheshin me Letën, por kjo nuk e kishte problem, pasi kishte mbështetjen e vëllait dhe të babait. Një ditë, babain tonë e thirrën në një mbledhje të jashtëzakonshme të Partisë. Propozimi nga baza, ishte për t’i hequr teserën e Partisë, me akuzën se nuk i kishte edukuar mirë fëmijët dhe kishin shfaqje të huaja. Aty u ngritën duke e kritikuar, për arsyen se vajza bredh me biçikletë në qytet. Babai u ngrit dhe u tha: “S’ka asgjë të keqe..!!” Të partisë, i thanë: “Nuk jemi këtu në Francën borgjeze.”. Babai, pasi i dëgjoi, iu përgjigjet: “Atëherë, po në Tiranë dhe Shkodër, ku femrat marrin biçikleta dhe i përdorin për të shkuar në punë dhe shëtitje, janë borgjeze…!! Unë do ta dërgoj vajzën për shofere dhe aviatore edhe pse në vendin tonë, ende nuk ka një femër me profesion të tillë …!” dhe iku nga mbledhja. Pak kohë më vonë, Leta kërkoi që të shkonte në kursin e shoferëve, por nuk ia dhanë këtë të drejtë! Nga kjo, Leta shikohej si jashtëtokësore në Memaliajn e atyre viteve! Ju dhe gjithë bashkëqytetarët memaliotë, e dinë që babai im, nuk dëgjonte, pasi kështu u kthye nga lufta. Si e tillë edhe në mbledhjet e Parisë, ia jepnin me shkrim çfarë do diskutohej. Edhe për këtë ngjarje, vendimin, ia kishin dhënë me shkrim dhe pasi e lexonte dhe njihej me përmbajtjen, ja merrnin letrën. Unë po e kërkoja këtë letër, në dokumentat e familjes, por nuk e gjeta. Si duket, pasi ndërroi jetë, nuk e kemi parë të domosdoshme, ta mbanim. Edhe biçikleta, është ende tek shtëpia e vëllait, por, ajo ka rënë e nuk mund të hyjë më në punë.”

Në kujtesën e shumë memaliotëve të vjetër, përveç përdorimit të biçikletës, ajo mbahet mend si një vajzë e çiltër, e sjellshme dhe e komunikueshme me bashkëqytetarët e saj. Një vajzë ndryshe nga të tjerat që blinin copa për të qepur fustane, ajo blinte kadife, doqe, stofra dhe teritale dhe i qepte pantallona me porosi, të cilat i përdorte përditë. Në atë kohë, ishte e veçantë, pasi vajzat dhe gratë, i mbanin pantallonat vetëm në punë. Gjithashtu, mbahet mend kur në vitet ’70, “Organizata e Rinisë” së qytetit organizonte mbrëmje në tarracën e Pallatit të Kulturës, ku ajo shkonte shpesh me të  vëllan e saj, Rrapon dhe kërcenin tuist (Twist) së bashku.

Në vitin 1982, Violeta Lumani krijon familje me memaliotin Lado Xhezairi, ku në jetë u vijnë edhe katër fëmijë të mrekullueshëm, të cilët quhen, Irena, Oltjon, Eglantina dhe Ledjon, ku të gjithë së bashku jetojnë në Athinë.

Edhe unë e mbaj mend Letën, kur ajo e përdorte biçikletën për të shkuar dhe kthyer nga puna, psonisje apo argëtim; dhe më dukej aq sa e veçantë, por edhe me vlera për atë qytet, pasi demonstronte një atmosferë qytetërimi, e cila do ishte fatkeqësi, nëse do i mungonte atij qyteti të banuar edhe me njerëz që kishin jetuar dhe punuar me vite edhe nëpër vendet më të zhvilluara të perëndimit! Padyshim që ajo ishte edhe femra e parë në rrethin e Tepelenës që përmbysi mentalitetin e asokohe!

Violeta Lumani na bën krenar për kurajon dhe qytetarin e saj, e cila, jo vetëm na ka ngelur në kujtesë, por ajo bëhet pjesë edhe e historisë së qytetin tonë të vogël, por me zemër të madhe!

Edmond Ismailati

Të ngjajshme