Viti 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës

1 Dhjetor, 2021 - 6:30 pm

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi, që viti 2022 të shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara, shkruan KultPlus.

Drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi, është shprehur shumë i lumtur për një gjë të tillë, ku edhe ka falënderuar Kuvendin e Kosovës që miratoi një rezolutë të tillë.

Me shpalljen e vitit 2022, Ministritë, Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe shoqëria në përgjthësi synojnë të mobilizojnë resurset e tyre për të trasuar rrugën për një Kosovë pa pengesa dhe për të fuqizuar personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të mund të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Objektiv kryesor gjatë vitit të ardhshëm pa dyshim do të jetë që Kosova të përparojë drejt garantimit të të drejtave për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, moshës apo orientimit seksual”, shkruan Maliqi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Motoja e kësaj rezolute është ‘’Mundësi të barabarta për të gjithë!’’ dhe misioni i saj pritet të vazhdojë tutje.

HandiKOS përfaqëson dhe përkrahë personat me aftësi të kufizuar përmes avokimit dhe lobimit. /KultPlus.com

No photo description available.

Të ngjajshme