Viti i gjuhës shqipe! Sindikata e Arsimit në Shqipëri përshëndet vendimin e qeverisë

25 Janar, 2024 - 2:05 pm

2024 do të jetë Viti i Gjuhës Shqipe, shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të treguar kështu rëndësinë që arsimi dhe gjuha shqipe kanë në zhvillimin e identitetit kombëtar.

Gjatë këtij viti do të ketë aktivitete dedikuar ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.

Një vendim i tillë shihet pozitivisht nga ekspertët e arsimit, në një kohë kur rrjetet sociale po kërcënojnë gjuhën shqipe.

 “Normalisht që është shumë e nevojshme. Sot rrjetet sociale kanë ndikuar tek gjuha por krahas mendojmë që duhet të ketë prioritet edhe në shkolla por edhe në rrafshin kombëtar sepse sot kemi tekste gjuhe shqipe që përdoren ndryshe në Shqipëri, tekse të tjera në Kosovë ose në Maqedoni. Do të thotë që nëse flasim për gjuhën shqipe atëherë duhet të flasim në rrafshin kombëtar dhe jo vetëm në pjesën brenda kufijve”, u shpreh Isa Halilaj nga Sindikata e Arsimit.

Por nga ana tjetër, ekspertët nxjerrin në pah edhe problematikat e arsimit shqiptar, një ndër më kryesoret, mungesa e mësuesve.

 “Arsimi shqiptar ndodhet në një situatë jo të kënaqshme, këtë e tregoi dhe pisa në raportin e fundit prandaj nevoja kryesore e arsimit sot është financimi i tij. Kërkon një buxhet mbi 5% te GDP ashtu sikurse e kanë vendet e Bashkimit Europian dhe të kemi reforma të sakta. Kemi mungesë të theksuar mësuesish, ndoshta mbas dy tre vitesh do të jetë edhe më e theksuar situata. Sot përshembull në Tiranë kemi mungesë të mësuesve të ciklit të ulët dhe edukatorëve të kopshtit. Pastaj nëpër rrethe kemi probleme me mësuesit e shkencave dhe mësuesit e gjuhës së huaj”, tha Halilaj.

Për herë të parë këtë vit, Dita e Alfabetit Shqip, do të jetë festë zyrtare ndaj është menduar që më 22 nëntor të ketë aktivitete promovuese për gjuhën shqipe si simbol i unitetit. / Top Channel /KultPlus.com

Të ngjajshme