Vrasim në emër të Zotit

10 Maj, 2025 - 1:55 pm

Nga Ag Apolloni

Umberto Eco në romanin “Emri i trëndafilit” flet për hetimin e vrasjeve që ndodhin në një abaci mesjetare. Duke e lexuar romanin, e kuptojmë që vrasjet ndodhin për shkak të pjesës së dytë të librit “Poetika” të Aristotelit, ku flitej për komedinë. Shumë studiues supozojnë se kjo pjesë e librit është zhdukur në Mesjetë, ndërsa Eco, i cili thoshte se Mesjetën e njihte më mirë se kohën e tij, këtë e shpjegon nëpërmjet romanit, ku vrasjet në abaci i lidh më trajtesën e Aristotelit mbi komedinë, e cila shkakton të qeshurën, të cilën Shën Vasili e kishte ndaluar me arsyetimin se askund në ungjill nuk thuhej se Krishti kishte qeshur. Pra, nëse Krishti nuk kishte qeshur, askush nuk duhej të qeshte. Kështu, pasuesit e Shën Vasilit vrasin këdo që qesh, ose që ka lexuar librin mbi të qeshurën, sepse e qeshura e zhduk frikën, dhe pa frikë s’ka besim. Kështu, ata vrasin në emër të Zotit, të cilin Dante e paraqet si një trëndafil në “Parajsën” e tij.

Emrin e këtij ‘trëndafili’ nuk e lëshojnë prej goje as ekstremistët muslimanë që po përpiqen ta krijojnë shtetin e parë islamik në Evropë, Kosovën. Këtë nuk e tregon vetëm përqindja e lartë e besimit islam (mbi 90 %), por edhe metodat manipuluese dhe programi ekspansionues për ta kthyer Kosovën në një lloj Vatikani të muslimanëve. Nga regjistrimi i popullsisë së Kosovës më 2024, doli që në Kosovë, sipas përkatësisë etnike, jetojnë 91 për qind shqiptarë, ndërsa sipas përkatësisë fetare, 93.5 për qind muslimanë, duke e dëshmuar përsëri Kosovën si vendin më musliman në Evropë, para Bosnjës (e cila ka 51 për qind), Shqipërisë (e cila ka 50.67 për qind) dhe Maqedonisë së Veriut (e cila ka 32 për qind). Në sytë e perëndimorëve, shqiptarët janë ata që rrezikojnë Evropën më së shumti, sepse në vend se të jenë të krishterë, ose sekularë, janë muslimanë që po kthehen në radikalistë fetarë. Përderisa boshnjakët janë të brishtë për ta luhatur identitetin e Ballkanit, lëre më të Evropës, shqiptarët shtrihen në tri shtete (Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut), pa përfshirë shqiptarët në vendet e tjera të Ballkanit ku përbëjnë një përqindje të vogël, apo ata të diasporës ku janë rreth pesë milionë.

Është histori e gjatë të flasësh për procesin e shkëputjes së shqiptarëve nga Evropa e krishterë dhe ajo sekulare. Kosova vetëm gjeografikisht është pjesë e Evropës, politikisht dhe ekonomikisht është e lidhur më së shumti me Turqinë, ndërsa fetarisht – me të gjitha vendet arabe. Turqia është investitori më i madh në Kosovë, e cila herë është vendi më i varfër në Evropë, herë ndër dy më të varfrit, ndërsa Kaçaniku, që prej vitesh është kthyer në çerdhe të ekstremizmit fetar, është ndër komunat më të varfra në Kosovë.

Meqenëse regjistrimi i popullsisë në Kosovë vitin e fundit ka lënë shumë mundësi manipulimi (qoftë me mungesë rubrikash të mjaftueshme për deklarimin e besimit, qoftë me sensibilizimin e masave për rëndësinë e deklarimit të vërtetë dhe të sqarimit të nuancave religjioze, apo qoftë edhe me angazhimin e personave fetarë në regjistrimin e popullsisë, pa folur për mundësinë e manipulimit të regjistrimin me Ipad, që shumica e kosovare mbi 50-vjeç nuk e dinë si funksionon, dhe nuk e dinë sesi ia ka trusë regjistruesi), Kosova do të përfitonte nga një regjistrim online, por transparent dhe i qasshëm për të gjithë në çdo kohë (që të verifikohet nga vetë deklaruesi dhe të shihet nga të gjithë, sepse besimi, ashtu si edhe mosbesimi, s’është çështje e turpshme që duhet fshehur), dhe me opsione deklarimi: muslimanë (ata që besojnë) dhe muslimanë nominativë (ata që vetëm emrat i kanë muslimanë, por s’besojnë dhe s’e praktikojnë fenë). Kështu do të kuptohet që muslimanët nominativë janë të distancuar (ose “në distancim e sipër”) nga muslimanët dhe që muslimanët nuk janë detyrimisht të lidhur me ekstremizmin fetar. Një përshkallëzim i tillë do t’i ndihmonte politikës integruese dhe paqes së qëndrueshme. Pastaj deklarimet e tjera mbi (mos)besimin (katolik, ortodoks, protestant, budist, ateist, agnostik etj.), do të krijonin një larmi besimesh dhe një atmosferë tolerance.

Natyrisht, përqindja e një besimi nuk përbën shqetësim. Shqetësim përbën përqindja e radikalizmit që del nga një besim. Raportet statistikore mbi ekstremizmin në Kosovë, lëvizin nga 500 deri në 5000 njerëz aktivë. Shqiptarët thonë se janë rreth pesëqind, serbët thonë se janë rreth pesë mijë. Pastaj, shqiptarët thonë se ata po mbështeten nga serbët, edhe pse s’e pranojnë shifrën e serbëve. Nëse ata janë mbështetës, ndoshta edhe shifrën e dinë më mirë se ne. Prandaj, të pohosh një “fakt” (se ekstremizmin e kemi dhuratë nga serbët) vetëm pse të konvenon t’ia atribuosh edhe një faj, pa pasur dëshmi, dhe të injorosh një fakt tjetër vetëm pse s’të konvenon, nuk është punë edhe aq e zgjuar. Ekstremizmi nuk na vjen nga shtetet sllave, por nga shtetet muslimane.

Vetëm gjatë viteve 2012-2015, rreth 400 kosovarë kanë shkuar në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar grupeve radikale (militante), përfshirë ISIS-in. Deri në vitin 2024, Policia e Kosovës ka thënë se e ka nën kontroll situatën. Sivjet, para pak ditësh, u vra një polic nga një person që nuk u bë ekstremist brenda nate. Ai kishte kaluar nëpër procesin e radikalizimit fetar, duke u bërë pjesë e organizatës Rinia Islame e Kaçanikut, që ishte themeluar më shumë se një dekadë më parë nga terroristi Lavdrim Muhaxheri. Kjo organizatë e rrezikshme që ka funksionuar dhe rekrutuar të rinj nga viti 2012, nuk ka qenë nën kontrollin e shtetit kosovar. Një përpjekje e një polici për t’i mbajtur nën kontroll, rezultoi me vrasjen e tij. Një shtet që ka tetë mijë police, sa ka gjasa t’i ndalojë, ta zëmë, pesë mijë ekstremistë në një përplasje eventuale ballë për ballë, kur dihet që polici shkon për të mbajtur rendin, ndërsa ekstremisti për të vdekur?

Unë jetoj në Kosovë dhe rritjen e ekstremizmit e shoh gjithkund: rrugës shoh lëvizës me çarçafë të zinj, për të cilët thonë se janë femra, por mund të jenë meshkuj, apo robotë (si ta dimë kur shohim vetëm çarçafin që lëviz?); meshkuj me mjekra rrjepacakësh; në shumë berberhane shoh që rrinë plot mjekra, edhe pse nuk rruhen; po i përmende Skenderbeun, apo Nënë Terezën, të bien në qafë; ngado që të shkosh, i dëgjon duke t’u drejtuar me “vëlla”, si shenjë e një “vëllazërie muslimane”; njerëz që deri dje ta kanë shterë bunarin me raki, sot nuk pinë as birrë; supermarkete e mishtore ka gjithkah, mish derri askund; të gjitha piceritë janë bërë “hallall”; gjatë ditëve të ramazanit, Kosova është si në ditët e pandemisë, njeri i gjallë s’lëviz (zgjohen kur dita është duke perënduar dhe mbyllen pa aguar, si personazhe gotike); përditë dëgjoj si e shajnë Perëndimin dhe adhurojnë Lindjen; ua vret syrin një katedrale në shesh, dhe dalin me kavanoz e lypin pare për xhami (se pak janë 900, le të bëhen bile 1000).

Këto nuk i shoh vetëm unë, i shohim të gjithë. Quhemi shtet sekular, por as që e dimë ç’është sekulariteti. Përndryshe, sikur ta dinim, si do të mund t’i quanim humanistë njerëzit fetarë, kur Humanizmi lindi si reagim kundër fesë, dhe e ktheu besimin nga Zoti te njeriu? Hoxhë humanist domethënë hoxhë ateist. E qartë, e përziejnë humanizmin me humanitarizmin, filozofinë me keqardhjen.

Në Kosovë veprojnë shumë organizata humanitare që s’i kontrollon shteti, në Kosovë vepron Bashkësia Islame jashtë kontrollit të shtetit, në Kosovë janë rreth njëzet xhami që s’i kontrollon as shteti, as Bashkësia Islame. E pastaj pyesim: ku po bohen qito ekstremista? N’bashqe teme. Kur? Qatëherë kur po i mshelim sytë.

Në fakt, ekstremisti nuk mbin në bashçe, ai është një besimtar që ka kaluar nëpër shkallë të radikalizimit. Askush s’duhet të ketë frikë nga besimtari, nga fanatiku – po. Natyrisht, jo çdo besimtar bëhet domosdoshmërisht fanatik, por çdo fanatik është besimtar. Ekstremizmi religjioz nuk vjen nga njerëzit laikë. Fanatiku, siç e thotë Amos Oz, është një i sëmurë që duhet shëruar. Fanatiku nervozohet pse edhe ti s’je fanatik si ai. Ai aktivizohet me të bindë me fjalë, a me hanxhar, që të besosh si ai. Pra, është manipulativ, dogmatik, indoktrinues dhe agresiv. Fanatiku është ekstremist. Ekstremisti është viktimë dhe xhelat. Duke qenë viktimë e një manipulimi, ai është xhelati yt potencial. Ekstremisti nuk është as human, as humanoid, por diçka i ndërmjetëm. Domethënë, organikisht është njeri, por me ‘vullnet’ të programuar nga indoktrinuesit e tij. Ai është dikush që ia kanë shpëlarë trurin për t’ia mbushur me ide destruktive. Prandaj, nuk ka gjë më të mjerë dhe më mizor sesa ekstremisti.

Dje u vra një polic. Sot asnjë intelektual s’guxon të flasë. Nesër kush do të vritet? Sigurisht, ai që pi birrë, ai që ua prish strofullin ekstremistëve, ai që ngre zërin kundër xhihadit, ai që s’pranon t’ia shpëlajnë trurin, ai që s’e pranon nënshtrimin as ndaj Zotit, as ndaj njeriut.

Deri sot kemi pasur një polici dhe një qeveri që është fokusuar vetëm në veri. Si për dreq, shpërtheu në jug. Rreziku nga jugu është shumë më i madh sesa nga veriu. Nga veriu mësyjnë ata që janë jashtë, nga jugu mësyjnë ata që janë brenda. Mendojeni për një çast Kosovën si një kështjellë dhe vlerësojeni vetë pastaj cili armik është më i rrezikshëm: ai që është jashtë mureve, apo ky brenda? Në vendin tonë, një zajednicë ka vite që është kundërshtuar, por ‘zajednica’ e esktremistëve fetarë ka vite që është duke u ndërtuar.

Nëse ky armiku i brendshëm injorohet, ose shihet si dytësor, nesër nuk do të flasim vetëm për organizatën Rinia Islame e Kaçanikut, por për shtetin e quajtur Republika Islamike e Kosovës. Radikalizimi fetar këtu nuk ka hyrë rastësisht, por me qëllim dhe program. Po me program duhet të bëhet deradikalizimi i kësaj shoqërie, duke bashkëpunuar të gjithë ata që ende s’ua kanë shpëlarë trurin. Është fakt që Perëndimi s’është treguar shumë i interesuar për të investuar dhe për të na integruar në gjirin e vet, por s’mund të rrimë duke sharë Evropën, përderisa gjeografikisht jemi pjesë e saj, dhe duam të integrohemi edhe politikisht brenda saj. Një shtet aziatik brenda Evropës s’do ta ketë kurrë përkrahjen e Evropës. Prandaj, nëse vazhdojmë me injorimin e problemit të radikalizmit, dhe nuk bëjmë një program shtetëror për deradikalizim, ne jemi thjesht një pikë pozicionimi prej ku sulmohet Evropa.

Edhe një gjë! Në vitet ’90, Umberto Eco pati shkruar esenë “Si ta dallosh një fashist”, ku dekonstruktoi politikën e djathtë diktatoriale, fashizmin. Aty tregon se ndryshe fashizmi s’kishte filozofi, por vetëm retorikë, dhe se kjo retorikë shkaktoi vetëm kaos, ku lëshoi rrënjë kulti i vdekjes, që do të thotë se jepej ideja sikur nuk luftohet për të jetuar, por jetohet për të luftuar. Kështu janë ekstremistët: ata jetojnë për të luftuar. Pra, ekstremizmi është fashizmi ynë, është shumë i gjallë dhe është në mesin tonë.

Ne të tjerët, që duam paqe, duhet t’i shpallim luftë radikalizmit, që të shmangim luftën më të keqe të mundshme në Kosovë. Policia thotë se e ka gjendjen nën kontroll. Uroj ta ketë. Por është mirë ta dimë që shumë të rinj po largohen nga FSK-ja, për një arsye të vetme: nuk duan të rruhen. Është qesharake, por e vërtetë.

Si ta dallosh një fashist? Eco thotë se fashisti i sotëm vishet si të tjerët, ka frizurë si të tjerët, sillet si të tjerët, veçse mendon si fashist.

Si ta dallosh një ekstremist?, mund të pyes dikush. Është shumë e lehtë: nga mjekra. Natyrisht, mjekër mund të mbajë gjithkush, por esktremisti mban mjekër të veçantë, anti-estetike. Pastaj, nxehet nga neutraliteti yt ndaj fesë, të kërcënon në emër të Allahut, dhe mendon sikur… në fakt, nuk mendon, sepse ia kanë shpëlarë trurin.

Polici që u vra, nominativisht ishte musliman (nga ata që pinë birra), realisht anti-ekstremist. Ekstremisti e vrau dhe pro-ekstremistët përpiqen ta justifikojnë vrasësin, duke i atribuuar ‘njolla’ morale viktimës.

Presidentja do të duhej ta shpallte hero policin Muhamed Lika, i cili u vra tinëzisht, sepse luftoi përhapjen e ekstremizmit në Kosovë. Asnjë njollë morale, edhe po të ishte reale, nuk mund ta zbehë misionin e tij për t’ua prishur çerdhet ekstremistëve, që së pari të vrasin, pastaj edhe të njollosin, për t’i dhënë të drejtë vetes dhe për ta relativizuar vrasjen në sytë e të tjerëve. Në asnjë rast, vrasja e policit s’mund dhe s’duhet të relativizohet, ndërsa ekstremizmi mund dhe duhet të luftohet.

Do të doja që ata që janë radikalë, të ktheheshin në tolerantë, ndërsa ata që janë tolerantë, të tregohen radikalë ndaj radikalistëve, sepse ata e urrejnë edhe Zotin, përderisa i vrasin krijesat e tij.

Ekstremistët kërcënojnë duke treguar me gisht kah qielli, kah Zoti. Vrasin dhe bëjnë me gisht kah Ai. Po vrasin në emër të Tij, po vrasin për Të, po përpiqen të na bindin se i ka nxitur Ai, duke bërë me gisht drejt Tij. Kështu bëjnë gjithmonë fanatikët fetarë. Vrasin në emër të Zotit, në emër të trëndafilit, i cili simbolizon dashurinë. Nëse Zoti është dashuri, atëherë këta që përhapin kaq shumë urrejtje, s’mund të jenë në anën e tij.

Prandaj, Zot, thyejua gishtat, thyejua qafën, se e dinë çka po bëjnë dhe po thonë se po e bëjnë për ty!/ KultPlus.com

Të ngjajshme