Vrasja e gruas në Pejë, reagon ashpër Presidentja Osmani

16 Prill, 2024 - 10:44 am

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gruas nga Pejë, që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj mëngjesin e sotëm

Gjatë një fjalimi në hotelin “Emerald” në Prishtinë ku po merr pjesë në iniciativën ‘Thinking of You’, ajo ka theksuar se mënyra e vetme për ta ndalur këtë fenomen të tmerrshëm është të rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të “Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri”, ku është diskutuar për dhunën ndaj grave.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje tek të gjithë, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda./KultPlus.com

Të ngjajshme