Vritet në Afganistan aktivistja 29-vjeçare për të drejtat e grave, Frozan Safi

6 Nëntor, 2021 - 9:15 am


Aktivistja 29-vjeçare dhe mësuesja e ekonomisë nga Afganistani, Frozan Safi, është qëlluar për vdekje në pjesën veriore të këtij shteti. Duket se kjo është vdekja e parë e ditur e një aktivisteje për të drejtat e grave që nga koha kur talibanët erdhën në pushtet para gati tre muajve.

Trupi i Safit u identifikua në një morg të qytetit Mazar-i-Sharit, pasi e reja ishte zhdukur më 20 tetor. “E njohëm përmes rrobave. Plumbat ia kishin shkatërruar fytyrën”, tha motra e saj, Rita, që është mjeke.

“Kishte plagë plumbash gjithandej, shumë për t’u numëruar, në kokë, në zemër, në gjoks, veshkë e këmbë”, tha Rita, duke shtuar se viktimës i ishin marrë unaza e fejesës dhe çanta, shkruan The Guardian.

Të enjten, forcat talibane të sigurisë i sollën në spitalin provincial në Balkh trupat e dy grave të paidentifikuara, të cilat ishin qëlluar për vdekje. Ato u gjetën afër trupave të dy burrave në një shtëpi në Mazar-i-Sharif, tha Zabidullah Noorani, drejtor i informacionit dhe çështjeve kulturore i talibanëve në provincën Balkh. Ai sugjeroi se personat mund të kenë qenë viktima të një “armiqësie personale”, por policia është duke e hetuar rastin.

Që nga muaji gusht, gratë afgane kanë mbajtur rregullisht protesta për të kërkuar mbrojtje të të drejtave të tyre. Vajzave de fakto u është ndaluar shkollimi i mesëm, qeveria e re përbëhet vetëm nga burrat dhe grave u është ndaluar shumica e sporteve dhe punës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme