WEF: Rrezik maksimal dezinformimi në pragzgjedhje të mëdha

10 Janar, 2024 - 2:03 pm

Përgjatë dy viteve të ardhshme rreth tre miliardë njerëz do të shkojnë në votime dhe në mes të bumit të inteligjencës artificiale, dezinformimi është ndër rreziqet më të mëdha për njerëzimin, vlerëson Forumi Ekonomik Botëror.

“Përdorimi i gjerë i dezinformimit dhe dezinformatave dhe mjetet për shpërndarjen e tyre, mund të minojnë legjitimitetin e qeverive të sapozgjedhura”, sipas “Global Risks Report” të botuar sot.

“Trazirat që rezultojnë mund të variojnë nga demonstratat e dhunshme dhe krimet e urrejtjes deri te përleshjet civile dhe terrorizmi”, vijon ky dokument, i zbuluar disa ditë përpara Forumit Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos, Zvicër, nga 15 deri më 19 janar.

”Votuesit duhet të zgjedhin liderë të rinj në ekonomitë kryesore, përfshirë Bangladeshin, Indinë, Indonezinë, Meksikën, Pakistanin, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, gjatë dy viteve të ardhshme”, thotë Forumi Ekonomik Botëror.

”Përtej rreziqeve të dezinformimit – informacione të rreme, por të shpërndara pa dashje – dhe dezinformacionit – informacione të rreme të shpërndara vullnetarisht, të nxitura nga IA dhe polarizimi i shoqërisë shtohen këtë vit edhe shqetësimet për një krizë të vazhdueshme në koston e jetës”, vëren Forumi në një njoftim për shtyp.

Dhe ndërsa disa luftëra janë duke u zhvilluar, konfliktet e armatosura ndërshtetërore janë ndër pesë shqetësimet kryesore gjatë dy viteve të ardhshme.

Në terma afatgjatë, kushtet ekstreme të motit dhe ndryshimet kritike në sistemet mjedisore të tokës bëhen shqetësimi më i madh.

Raporti, i prodhuar në partneritet me siguruesin zviceran ”Zurich Insurance” dhe ”Marsh McLennan”, bazohet në pikëpamjet e më shumë se 1 400 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe udhëheqësve të biznesit të anketuar në shtator 2023.

Nga këto, dy të tretat presin që një rend shumëpolar ose i fragmentuar të marrë formë gjatë dekadës së ardhshme.

“Udhëheqësit botërorë duhet të bashkohen për të adresuar krizat afatshkurtra dhe për të hedhur themelet për një të ardhme më elastike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thotë Saadia Zahidi, drejtore e Forumit Ekonomik Botëror, cituar në njoftimin për shtyp.

”Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe presidenti izraelit Isaac Herzog do të marrin pjesë në Forumin në Davos, ku lufta midis Izraelit dhe Hamasit do të jetë një nga temat kryesore”, njoftuan organizatorët të martën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kreu i ri i shtetit ultraliberali argjentinas Javier Milei, kryeministri kinez Li Qiang dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të jenë në mesin e më shumë se 60 krerëve të shteteve dhe qeverive të pranishëm./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme