Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk, në Itali

11 Gusht, 2025 - 10:46 am

Gërmimet arkeologjike në vendin e shenjtë qendror etrusk në Itali, Fanum Voltumnae, kanë nxjerrë në dritë objekte të rëndësishme fetare që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë.

Sipas mediave italiane, në periferi të qytetit të Orvietos janë zbuluar dy koka deshësh prej guri të ruajtura mirë, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni. Ky vend i shenjtë i federatës etruske është ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Gërmimet në këtë zonë, të udhëhequra që nga fillimi i viteve 2000 nga arkeologia Simonetta Stopponi, kanë sjellë në dritë një mori objektesh që ofrojnë njohuri të rëndësishme për ritualet dhe besimet e popullit etrusk.

Etruskët u vendosën në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Erës sonë. Origjina e tyre mbetet e paqartë dhe kultura e tyre është studiuar vetëm pjesërisht. Epoka e lulëzimit të tyre ishte nga shekulli VII deri në shekullin V para Krishtit.

Sipas historianit Dionisi i Halikarnasos, etruskët ishin popull i hershëm dhe i dalluar nga të tjerët. Sot, studiuesit debatojnë për prejardhjen e tyre, ku një pjesë e madhe mbështet tezën e origjinës nga Azia e Vogël, ndërsa të tjerë i konsiderojnë si popull vendas që u zhvillua me kalimin e kohës. Analizat e ADN-së së popullsisë në Toskanë mbështesin teorinë e origjinës aziatike.

Etruskët u mundën dhe u asimiluan nga romakët gjatë periudhës së Republikës Romake, duke u zhdukur si grup etnik i veçantë.

Ky zbulim i ri në Fanum Voltumnae hap një dritare të re në studimin e një prej kulturave më misterioze të antikitetit dhe rikthen në vëmendje rëndësinë historike të këtij vendi të shenjtë./KultPlus.com

Të ngjajshme