Zelensky: Bota e lirë ka gjithçka që duhet për të ndalur agresionin rus

11 Janar, 2023 - 1:32 pm

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se aleatët duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre me armatim për Ukrainën.

“Bota e lirë ka gjithçka që duhet për të ndalur agresionin rus dhe për t‘i shkaktuar një humbje historike shtetit të terrorit”, tha presidenti ukrainas në një video-mesazh.

Zelensky theksoi se ka zhvilluar biseda telefonike me liderë të disa vendeve për të marrë mbështetje në luftën kundër Rusisë.

Zelensky tha se ka zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin e Këshillit Evropian (BE), Charles Michel dhe se në bisedën në fjalë kanë diskutuar mbi procesin e integrimit të Ukrainës në BE, çështjet financiare ndaj vendit të tij si dhe mbështetjen me armatim.

Presidenti ukrainas ka mbrojtur idenë se arritja e fitores së Ukrainës kundër Rusisë ka një rëndësi të madhe jo vetëm për vendin e tij, por edhe për demokracinë globale dhe për të gjithë ata që i kushtojnë rëndësi lirisë.

Zelensky rikujtoi se në fund të vitit të kaluar zhvilloi takime në SHBA dhe se pas vizitës në Washington zhvilloi biseda telefonike me liderë të botës.

“Pas vizitës time në Washington realizova gjithsej rreth 30 biseda telefonike me liderë dhe përfaqësues të shteteve. Me kuptimin e plotë të fjalës ndihet se si po ritet çdo ditë vendosmëria e botës për të tejkaluar agresionin rus”, u shpreh ndër të tjera Zelensky. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme