5 Gusht, 2025 - 10:51 am
Në prag të ardhjeve të shumta verore nga mërgata, Kryeministri i Kosovës ka përcjellë një mesazh të ngrohtë dhe përplot mirënjohje për bashkatdhetarët që rikthehen në vend. Ai ka theksuar rëndësinë e mërgatës jo vetëm si vizitorë që sjellin mallin dhe dashurinë për vendlindjen, por edhe si bashkëkrijues të së ardhmes së përbashkët. Duke theksuar se sot nuk flitet më për “trurin që ikën”, por për “zemrën që nuk harron”, ai ka vlerësuar rolin e mërgatës si pjesë thelbësore e kombit, pavarësisht largësisë fizike.
“I mirëpresim çdo vit, përherë e më shpesh më shumë se një herë brenda vitit, edhe në kryeministri.
Ne kemi gjithmonë nevojë për bashkatdhetarët tanë, mërgatën tonë, si mysafirë që na vizitojnë për t’u çmallur, e si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes tonë. Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron: sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët. Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit.
Mirë se vini në shtëpinë tuaj, jemi me fat që ju kemi, e ju paçim gjithmonë!”, u shpreh Kryeministri./KultPlus.com